Arber Halilaj do të jetë pjesë e asamblesë komunale të Drenasit

Pjesë e asamblesë komunale të Drenasit do të jetë edhe Arber Halilaj nga “Green pë Drenas”.

Halilaj ka falenderuar të gjithë votuesit dhe thotë se Drenasi duhet demokratizuar shumë më tepër.

Postimi i Halilajt:

☘️?FALENDERIM PASZGJEDHOR

Faleminderit të gjithë votuesve të komunës sonë që më zgjodhën për t’ju shërbyer si përfaqësues në Asamblenë Komunale, gjatë kësaj kohe sfiduese.

Jam shumë i nderuar nga mbështetja juaj dhe dua t’iu siguroj se do të angazhohem ditë e natë për t’iu siguruar që shqetësimet tuaja do të dëgjohen dhe të adresohen. Unë do të punoj dhe udhëhiqem nga vlerat universale, të cilat si I.Q. “GREEN për Drenas” i shfaqëm përmes fushatës sonë të qetë, programit unik e shumë të vlerësuar dhe ekipit tonë të mrekullueshëm.

Populli tregoi fuqinë dhe kulturën e vet, ku më shumë se gjysma e tyre votuan me dinjitet, pro ndryshimeve pozitive. Disa megafonë, mercenarë dhe mantenuta politike lehtë të dallueshëm, nuk arritën ta prishin fushatën dinjitoze dhe festën e zgjedhjeve korrekte e të rregullta, sepse janë minorë në raport me masën votuese.
Zgjedhjet janë festë e demokracisë!

Pavarësisht nëse keni votuar për mua apo jo në këto zgjedhje, unë dua t’iu siguroj se jam i përkushtuar t’iu shërbej me vendosmëri. Kur punojmë së bashku, jo si partiakë të verbër por si anëtarë të një komuniteti, e di se mund të arrijmë gjëra të mëdha. Gjatë këtyre kohëve të ecjes drejt zhvillimit dhe largimit nga amullia politike e Drenasit, synimi im më i madh është të jem zëri i juaj i ngritur në Asamble, në mënyrë që të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Shoqëria jonë ka kaluar mjaft sfida e sakrifica, prandaj nuk e meriton të konsiderohet si “makinë votuese”, që e vizitojmë vetëm nëpër fushata zgjedhore. Projektet do të orientohen sipas nevojave dhe prioriteteve, pa dallim se kush kënd e voton në një lokalitet të caktuar.

Shoqëria jonë është ngritur mbi gjakun dhe sakrificën e popullit për liri, solidaritetin ndaj njëri-tjetrit, angazhimin tonë për barazi e mirëqenie dhe besimin tek aleatët tanë. Nisur nga kjo, është koha që të bashkohemi rreth vlerave të përhershme që i kemi kultivuar si popull, në mënyrë që të sigurojmë mjedis jetësor të pastër e pa ndotje, të mund të rindërtojmë ekonominë tonë, të krijojmë vende pune me kushte të mira, të ulim koston dhe rrisim cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe të sigurojmë që çdo i ri/e re të marrë një arsimim të shkëlqyer.

Nga këtu e tutje, sfidat tuaja janë sfidat e mia, shqetësimet tuaja janë shqetësimet e mia dhe shpresat tuaja janë shpresat e mia. Kemi shumë punë para nesh, Drenasi duhet demokratizuar shumë më tepër, por unë jam gati dhe i përkushtuar të punoj për ju. Dua të jem sa më i përgjegjshëm dhe i qasshëm për Ju, prandaj do t’iu ofroj çdo mënyrë komunikimi për të dëgjuar rreth prioriteteve, kërkesave dhe problemeve aty ku jetoni.

Faleminderit për nderin e jashtëzakonshëm për t’i shërbyer vendlindjes sime!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë