Kandidati i VV-së për Drenasin, Fejzi Kiqina tregon matematikën se si do t’i fitojë zgjedhjet pa balotazh

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në garë për të parin e Drenasit, Fejzi Kiqina është shprehur i palëkundur në qëndrimin e tij se do të dal fitues në këto zgjedhje lokale, madje pa balotazh.
Më i votuari Drenasit, ashtu siç e quan veten, në kohën sa ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka treguar se që nga viti 2019-të, atëherë kur ishte emëruar anëtari i Bordit në TrainKos, ka pezulluar plotësisht veprimtarinë e tij politike, për t’u anëtarësuar më vonë në Lëvizjen Vetëvendosje – si anëtar i thjeshtë.
“Unë kam qenë dy mandate në PDK, kam qenë edhe asamblist nga viti 2009 deri në vitin 2017. Kam qenë në vitin 2012 njeriu më i votuar në Komunën e Drenasit në strukturat politike. Pastaj, edhe në vitin 2019-të më është përsëritur rezultati, prap kam qenë në dy konventat zgjedhore të PDK-së njeriu më i votuar në Komunën e Drenasit. Nga viti 2019-të unë jam emëruar anëtar i bordit në ndërmarrjen publike TrainKos dhe më është dashur ta pezulloj aktivitetin tim politik, nuk kam qenë më pjesë e subjekteve politike. Nga 2019-ta më nuk kam pasur veprimtari politike. Unë kam qenë përkrahës, votues i PDK-së, nuk e mohoj atë pjesë. Unë kam shkuar në Vetëvendosje, jam anëtarësuar vetëm si anëtar i thjeshtë. Kërkesat e vazhdueshme të anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje më kanë propozuar që unë të jem kandidat për kryetar.” – ka treguar ai në pika të shkurta veprimtarinë e tij politike e profesionale.
Kiqina tutje bëri të ditur se po mban takime të shumta, madje me qindra sosh, për t’i dëgjuar nga afër hallet e brengat e banorëve të Drenasit, të cilët sipas tij, janë tmerrësisht të pakënaqur me qeverisjen aktuale.
Ai në fund të debatit zbërtheu matematikën e tij se si po pretendon të dal fitues në garën për Drenasin.
“Një matematikë të thjeshtë. Lëvizja Vetëvendosje në Drenas ka pasur rreth 6,200 vota. Mesatarisht ne presim që të dalin 20,000 votues. Me autoritetin tim, me ekipin tim që e kam në terren dhe ekipin tim që e kam sjellë, jam shumë i sigurt që do t’i sjellë edhe 4-mijë vota me fitu pa balotazh. Jam shumë i sigurt që fitoj pa balotazh.” – u shpreh Kiqina.
Kujtojmë që në garën për Drenasin janë edhe Ramiz Lladrovci nga PDK, Xhavit Drenori nga Iniciativa qytetare “Green për Drenasin”, Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin dhe Arta Ahmeti – Xhylani nga AAK.
Zgjedhjet lokale është përcaktuar të mbahen më 17 tetor 2021 në 38 zona zgjedhore./ATV LIVE/