Lladrovci tregon se çfarë ka bërë gjatë mandatit për çështjen e ambientit dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në një status të postuar në faqen e tij në Facebook ka treguar veprimet që ai ka marrë gjatë mandatit të tij për çështjen e ambientit dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve lidhur me ambientin.

Ai këtë reagim e ka bërë pas debatit të fundit mes kandidatëve për kryetar të komunës së Drenasit, ku siç thotë ai krejt padrejtësisht është trajtuar herë si “pronar i kompanisë që ndot ambientin” e herë si “ministër i ambientit”.

Statusi i plotë i Lladrovcit:

Çështja e ambientit dhe trajtimi i ankesave të qytetarëve lidhur me ambientin

Në një debat zgjedhor, krejt padrejtësisht, jam trajtuar herë si “pronar i kompanisë që ndot ambientin” e herë si “ministër i ambientit”
Përgjegjësia ime në krye të komunës së Drenasit, lidhur me ambientin, ka qenë dhe është e përcaktuar me ligj, me kompetenca, krejt të njëjta me të gjithë kryetarët tjerë të komunave.

Kronika tendencioze, rreth kompanisë Ferronikeli, ku përgjegjëse për ambientin apo ndotjen e ambientit, është Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Tendenca nga kronika që përgjegjësitë të më atribuohen mua, janë krejt pa vend, të padrejta dhe me qëllime të ulëta.

Disa nga çështjet e ngritura në debat, tashmë i kam adresuar, ashtu sikur që jam duke e adresuar tendencën denigruese të kronikës.
Lidhur me ambientin, brenda kompetencave, kam ndërmarrë këto veprime:
Kemi ngrit efikasitetin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave,
Kemi bërë shtrirjen e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave në të gjitha vendbanimet e komunës tonë, 7.320 ekonomi familjare dhe biznese janë pajisur me kontejner,
Është bërë rregullimi i 15 pikave grumbulluese të mbeturinave,
Më 2018, kemi filluar me procesin e ndarjes së mbeturinave të riciklueshme, ku kemi vendosur mbi 500 kontejner për ndarje të mbeturinave,
Më 2020, kemi bërë shpërndarjen e komposterëve 361, dhe në proces është tenderi për 400, copë, është në fazën e vlerësimit.
Nga viti 2017, në bazë të planifikimit për identifikim të deponive ilegale nga GIZ-i, në bashkëpunim me komunën e Drenasit, janë eliminuar 137 deponi ilegale, për këtë sukses, kemi fituar disa herë grante për mjedis të pastër.
Grantet për mjedis të pastër, me vlerë të përgjithshme 617.036 euro sipas viteve në vijim:
Për vitin 2017, vlera e grantit ka qenë 181,975 euro,
Granti për mjedis të pastër, për vitin 2018, ka qenë me vlerë 171,615 euro,
Granti për mjedis të pastër, për vitin 2019, ka qenë me vlerë 163, 446 euro,
Granti “Ta pastrojmë Kosovën”, për vitin 2019, ka qenë me vlerë 100.000 euro.
Si pasojë e dëmtimit të shtëpive gjatë luftës çlirimtare, komuna e Drenasit ka pasur shumë mbetje inerte, prandaj komuna ka përcaktuar një lokacion për hedhjen e mbetjeve inerte dhe është duke u mirëmbajtur nga operatori ekonomik, i kontraktuar nga komuna.
Çdo vit kemi planifikuar dhe realizuar fushata vetëdijesuese për kujdes ndaj ambientit dhe rëndësinë e pastërtisë së ambientit, me “Grupet e gjelbra” të cilat janë të themeluara në shkolla.
Për shkak të keqbërësve, dëmtimeve të qëllimshme dhe tendencës për përhapjen e imazhit negativ për sukseset tona, kemi vendosur kamera mobile, me imazhe nga terreni. Me këto raste po merren organet përgjegjëse.
Inspektorati komunal është shumë aktiv me masat e veta, duke ndikuar në parandalimin e ndotjes, njëherësh, zbaton ligjin ndaj keqbërësve dhe ndotësve të ambientit, në pajtim me udhëzimet administrativ.
Çdo herë i kemi falënderuar edhe tash i falënderojmë qytetarët për bashkëpunim, për kujdesin për ambient të pastër, institucionet lokale, arsimtarët e shkollave, nxënësit dhe OJQ-të, si dhe të gjithë dashamirët e ambientit të pastër në komunën e Drenasit.
Çështja e ankesave të qytetarëve
1. Shqyrtimi i ankesave të banorëve të Çikatovës, lidhur me ndotjen e rrugës-
Është bërë shqyrtimi i kërkesës dhe në bazë të kontratës që kanë me kompaninë, bëhet pastrimi i rregullt i rrugës, sipas menaxherit të deponisë.
2. Shqyrtimi i kërkesës për ngordhjen e peshqve nga ndotja-
Menjëherë inspektori ka dalë në terren, dhe është njoftuar MMPH-ë, Inspektori ka konstatuar se ngordhja ka ndodhur si rezultat i rrjedhjes së ujit nga deponia tranzitore e mbeturinave të amvisërisë, me ç’rast është dhënë urdhër ndaj kompanisë për eliminimin e këtij problemi. Ky problem është evituar.
3. Kërkesa për mbulimin e skories
Inspektori komunal ka kontaktuar Ministrinë lidhur me masat të cilat do t’i ndërmarrin për mbulimin e skories. Ata kanë deklaruar se ekziston një plan se kur bëhet mbulimi i skories. Duhet cekur se në deponinë e vjetër të skories, mbulesa është bërë sipas etazheve dhe planit të qeverisë. Pas përfundimit të çdo etazhe është bërë mbulimi i saj.
4. Kërkesa për rrjedhjen e ujërave te Ferronikelit në lum-
Inspektori komunal ka dal në vend të ngjarjes, janë njoftuar inspektoret e Ministrisë së Ambientit, janë marr mostrat nga Instituti hidrometeorologjik së bashku me inspektoret, ndërsa për procedura të mëtejshme, kanë vazhduar inspektoret e ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Bashkëpunimi me qytetarët, është faktori kryesor për efikasitetin e ruajtjes dhe mbrojtjes së ambientit.
Qytetarë, ta ruajmë ambientin, sepse është jeta jonë!
Vazhdojmë ta ruajmë dhe kujdesemi për ambientin!
Me nderime, Ramiz Lladrovci

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë