Driton Ajazi: Programi ynë më i miri

Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Driton Ajazi nga iniciativa qytetare “Demokratët për Drenasin” ka hapur fushatën parazgjedhore duke thënë se Drenasin po e çlirojmë, shpejt dhe bashkë.

“Kur kemi hyrë në fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit, si njeri i etur për t’i shërbyer secilit qytetar e për t’ia dhënë më të mirën Komunës, ju ftoj që gjatë një muaji ta përcillni mesazhin e fitores tek secili – në familje, në rreth e në shoqëri”, ka thënë Ajazi.

Postimi i plotë i Ajazit:

Të dashur bashkëqytetarë,
Drenasin po e çlirojmë, shpejt dhe bashkë.
Shpejt, sepse nevoja për ta ndalur qeverisjen me diktat është urgjente, sikurse kërkohet që me urgjencë t’i kthehemi punëve të mira pas pesë vitesh stagnim e degradim. Bashkë, sepse ne po e përjetësojmë vullnetin për ndryshim që buroi nga ju.
182 është numri i ndryshimit – numri i Demokratëve për Drenasin.
Sot, kur kemi hyrë në fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit, si njeri i etur për t’i shërbyer secilit qytetar e për t’ia dhënë më të mirën Komunës, ju ftoj që gjatë një muaji ta përcillni mesazhin e fitores tek secili – në familje, në rreth e në shoqëri.
Si kurrë më parë, Komuna jonë ka nevojë për ndryshim. E, unë e di se demokratët nuk e durojnë qeverisjen me diktat. As stagnimin e degradimin dhe as mbajtjen peng të Komunës. Prandaj, jam i bindur se do të punojmë bashkë, pa ndalë në secilën javë, secilën ditë e secilën orë.
U ofrohem me ekipin më profesional e më të përkushtuar për punë, si dhe me ofertën më të mirë për transformimin e qytetit, fshatrave, e çdo lagjeje. Për një jetë më të mirë e më kualitative për secilin.
Kur sot e kemi mundësinë të shërbejmë, e kemi në mendje sakrificën e njerëzve tanë – heronjve, dëshmorëve e martirëve. Kjo sakrificë na e shton obligimin për ta dhënë më te mirën për Komunën, e jo për të abuzuar në emër të saj.
Në këto katër javë, Programi ynë për Drenasin do t’i ofrohet secilit qytetar. Është më i miri dhe më i realizueshmi.
Ofrojmë garancë të fortë për qeverisje me duar të pastra. Do ta bëjmë me profesionistë, e jo me familjarë, akraba e grupe të interesit. Ofrojmë garancë për mundësi të barabarta për gjithësecilin, edhe në punësim e edhe në gëzimin e secilës të mirë publike.
Arsimi do ta ketë fokusin tim kryesor. Ne nuk mbyllim shkolla. Jemi te orientuar të ndërtojmë të reja e të organizojmë digjitalizimin e tyre. Sepse, investimin në edukim e shohim si më strategjikun në afatgjatë. Ne jemi të vetëdijshëm se shumë shprehi fitohen në vitet e para të jetës, prandaj do të krijojmë shumë hapësira për edukim të hershëm.
Drenasi nuk e meriton epitetin e komunës më të ndotur në Kosovë. Do ta ndalim trendin e degradimit mjedisor, nëpërmjet veprimeve që do të ndërmerren në raport me ndotësit e mëdhenj të ajrit, ujit e tokës. Sepse, milionat e këtyre ndotësve nuk mund të na e blejnë heshtjen. Ne do të tregohemi miqësorë me mjedisin, edhe duke mirëmenaxhuar e edhe duke rritur hapësirat e gjelbra.
Pandemia na imponon që të veprojmë me urgjencë në shtimin e kapaciteteve për imunizim të popullsisë. Paralelisht, do të punojmë në aktivizimin e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për secilin, në qytet e fshatra.
Punë e pakursyer do të bëhet për zhvillim ekonomik e për mirëqenie sociale. Bizneseve do t’u hiqen barrierat dhe do të na kenë aleatë. Ne nuk uzurpojmë hapësirat ekonomike të Komunës për vete e për biznesmenë të lidhur me pushtetin. Komuna është e të gjithëve.
Plane transformuese kemi për infrastrukturën dhe transportin. Qyteti duhet shpëtuar nga ky kaos, nëpërmjet zgjerimit të rrugëve, ridizajnimit e shtimit të tyre, dhe nëpërmjet zgjidhjes për t’i evituar përmbytjet. Për katër vjet, nuk duhet të mbetet lagje e shtëpi pa ujësjellës, rrugë të asfaltuar e me trotuare, dhe pa kanalizim. Transporti publik kërkon rirregullim e funksionalitet, duke e lehtësuar qarkullimin qytetar fshat-qytet, e veçmas Drenas-Prishtinë, dhe duke e ulur koston e këtij qarkullimi. Ne nuk premtojmë tramvaje, por efektet e planit tonë do t’i shihni brenda një viti.
Drenasi do të bëhet vend i jetueshëm. Me këtë, do ta ndalim rrjedhën e migrimit për në qytetet tjera, që ka marrë hov në këto pesë vjet, kur edhe u stopuan ndërtimet në qytet.
Rinia është e etur për ta treguar veten dhe ne do t’u ofrojmë mundësi. Hapësira për aktivitete rinore, kulturore e artistike do të krijohen pa vonesë. Drenasi do të bëhet Komunë referente edhe për organizim eventesh të karakterit kombëtar.
Do të punojmë shumë për t’i rikuperuar dëmet që pushteti në ikje ika krijuar në sport. Ndërhyrjet politike i kanë sjellë në prag shkatërrimi dy klubet ikonë të qytetit, Feronikelin në futboll dhe Drenicën në hendboll. Mbështetja për klubet do të jetë shumëherë më e madhe, e ndërhyrja në to do të jetë zero. Ne kemi një plan për t’i shtuar hapësirat sportive e rekreative në qytet e në secilin fshat.
Pra, përgjatë një muaji na pret punë intensive. Të punojmë shumë, për ta bërë sa më bindëse fitoren e Demokratëve! Të punojmë shumë, që t’i bëjmë me sa më shumë legjitimitet strukturat e reja qeverisëse të Komunës!
#KjoËshtëKohaJonë!
#DemokratëtPërDrenasin182
#DritoniPërDrenasin

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë