Hoxhaj: Po rritet gatishmëria brenda BE’së për vizat
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit të tij në Poloni ka takuar ndaras homologët e tij të Polonisë dhe Sllovakisë
Në takimin me ministrin e Jashtëm polak, Witold Waszczykowski, Hoxhaj ka biseduar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve, por edhe për përkrahje multilaterale. Ai e ka falënderuar ministrin polak për ftesën për të marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Jashtëm të shteteve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hoxhaj, me homologun e tij polak ka biseduar edhe për përkrahjen e Polonisë në proceset dhe rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa fokus i veçantë gjatë bisedës i është kushtuar liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kryediplomati Hoxhaj është takuar edhe me ministrin e Jashtëm sllovak Miroslav Lajčák, me të cilin ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Meqë Sllovakia aktualisht ka presidencësn e BE-së, Hoxhaj ka kërkuar nga Miroslav Lajčák që në fundvit të ketë një vendim pozitiv për Kosovën sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.
“Kam pasur takime shumë pozitive me homologët e mi nga Polonia dhe Sllovakia. Kemi biseduar për bashkëpunim në shumë fusha, mirëpo rëndësinë më të madhe ia kam kushtuar çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën. Meqë Sllovakia ka edhe presidencën e BE-së, kam kërkuar nga ministri Lajcak që të ketë një vendim pozitiv në këtë drejtim. Besoj që edhe brenda BE-së është rritur gatishmëria për një vendim pozitiv për vizat për Kosovën”, ka deklaruar Hoxhaj pas takimeve.
Në anën tjetër, sot është miratuar edhe deklarata e përbashkët e shteteve të Vishegradit, në të cilën flitet edhe për Kosovën dhe të arriturat e saj.
Në deklaratën zyrtare të përbashkët të shteteve të Vishegradit i shprehet mirëseardhje Kosovës në radhën e shteteve që kanë të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian.
Kosova përgëzohet për marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Europian për Liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe po ashtu për marrëveshjen e nënshkruar javën që shkoi mes ministrit Hoxhaj dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini e cila i lejon Kosovës qasje në programet e BE-së. Po ashtu, Kosova përshëndetet për lansimin e Agjendës së Reformës Europiane, e cila do të çojë në përmirësimin e shumë sferave përfshirë sundimin e ligjit dhe gjendjen ekonomike për shoqërinë kosovare.