Lladrovci, pas Konventës: Na pret punë e madhe dhe rikthim i fuqishëm në zgjedhjet lokale

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar një foto pas Konventës, janë takuar së bashku krerët e lartë të PDK-së, ku shihen edhe z. Memli Krasniqi dhe z. Hoxhaj, të cilën e përcolli me fjalët: “Ditë sa e rëndë aq e domosdoshme për ecjen përpara. Shokët na mungojnë por ata nuk presin nga ne të ligemi”.
Lladrovci ka shkruar se “na pret punë e madhe dhe rikthimi i fuqishëm në zgjedhjet lokale edhe në komunat tjera të Kosovës, duke i konfirmuar kauzat e lidhura ngushtë me interesin qytetar dhe Republikës së Kosovës, me zërin tonë të qartë, të sinqertë dhe të drejtë. Këtë mund ta arrijmë vetëm të bashkuar, ashtu sikur ishim sot në Konventë”.
Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:
Pas Konventës së jashtëzakonshme, zgjedhjes së kryetarit të ri, Memli Krasniqit, së bashku vazhduam pa protokoll, rekapitullimin e kësaj dite, për konventat e mëhershme dhe kujtimet që nga themelimi i PDK-së. Ditë sa e rëndë aq e domosdoshme për ecjen përpara. Shokët na mungojnë por ata nuk presin nga ne të ligemi.
Energjia e PDK-së, është e njohur për secilin që merret seriozisht me vlerat, kontributin dhe synimet e partive politike në vend, për kontributin e personaliteteve të saj gjatë shekullit të shkuar për çlirim dhe këto 22 vjet për shtetin dhe kombin.
Na pret punë e madhe dhe rikthimi i fuqishëm në zgjedhjet lokale edhe në komunat tjera të Kosovës, duke i konfirmuar kauzat e lidhura ngushtë me interesin qytetar dhe Republikës së Kosovës, me zërin tonë të qartë, të sinqertë dhe të drejtë. Këtë mund ta arrijmë vetëm të bashkuar, ashtu sikur ishim sot në Konventë.
Suksese Memli. Faleminderit prof. Enver. Na priftë e mbara!