Fillon ndërtimi i poligonit sportiv për shkollën fillore “Pavarësia”, në Krasaliq

Shkolla fillore “Pavarësia”, në fshatin Krasaliq të komunës sonë, shumë shpejt do të bëhet me poligon sportiv, në të cilin nxënësit e kësaj shkolle do të kenë hapësirën adekuate për të ushtruar aktivitetet e tyre sportive.
I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me stafin e tij, sot vizitoi fillimin e punimeve që po bëhen në këtë poligon, me ç`rast edhe i uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e këtij projekti të domosdoshëm për këtë shkollë.
“Sot, filluam ndërtimin e poligonit sportiv në oborrin e shkollës fillore “Pavarësia”, në Krasaliq, i cili financohet nga buxheti i komunës sonë dhe do të përfundojë para muajit shtator të këtij viti. Pas Abrisë, Qirezit e Krasaliqit, poligone sportive të tilla do të ndërtojmë këtë vit edhe në Burojë, Kllodernicë dhe Kuqicë”, tha nder të tjera Jashari.
Ndërsa drejtuesi i shkollës fillore “Pavarësia”, Sami Beqiri, u shpreh falënderues ndaj komunës, e në veçanti ndaj Kryetarit Jashari, për këtë investim, duke shtuar se për këtë shkollë ky projekt është i një rëndësie të madhe.
“ Ky projekt do të ndihmoj shumë në fushën e kulturës, mjedisit si dhe në fushën e edukimit sportiv për nxënësit e komunës sonë, andaj dua t’a falënderoj komunën për këtë projekt mjaftë të qëlluar, sepse ka pasur mungesë të projekteve të tilla, por tani me ndihmën e kryetarit, po arrijmë t’i konsolidojmë gjitha mjetet që janë të nevojshme në aspektin edukimit cilësor por edhe për përmbushjen e aspektit praktik”, tha Beqiri.