Zbulohen bustet e heronjve, Emin Lati, Nebih, Tahir e Beqir Meha

Për nder të 40 vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Nebih e Tahir Meha, Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Shoqatës së Burgosurve Politik, përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, veteran e invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe qytetarë, bënë nderime tek varret e heronjve Nebih e Tahir Meha.
Me rastin e këtij përvjetori, po ashtu u bë edhe zbulimi i katër busteve të heronjve, Emin Lati, Nebih, Tahir dhe Beqir Meha, në Prekaz.
Kryetari Jashari tha se heroizmi i Familjes Meha është një dëshmi e rezistencës së popullit tonë për liri dhe pavarësi.
“Sot ndihem jashtëzakonisht krenar që vendosëm bustet e heronjve, Emin Lati, Nebih, Tahir e Beqir Meha, në këtë vend të shenjtë të luftës, sakrificë. Qëndresa e Familjes Meha, është dëshmi që shqiptarët e duan lirinë më shumë se jetën, sakrifica e këtij brezi të trimave është themel i fuqishëm i ndërtimit të shtetit që sot e kemi, shtetit që është ngritur falë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë”, tha Jashari.
Kryetari Jashari tutje tha se është obligim moral e institucional që krahas nderimit të heronjve e dëshmorëve të kombit të punojmë në zhvillimin e shtetit tonë, për të mundësuar punësim dhe perspektivë për të rinjtë tonë.
Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kujtuar luftën heroike të Tahir Mehes, tha se ai përmes veprës se tij mbetet ende i gjallë.
“ Tahiri sot jeton, na ka bërë bashkë këtu, ndërsa ta që e kanë vrarë Tahir Mehen nuk jetojnë as këtu e as diku tjetër, janë harruar edhe nëse janë përkujtuar ndonjë herë nga ndokush”, tha Kurti.