Vazhdon misteri i vrasjes së ish-ushtarit të UÇK-së në Korreticë të Drenasit

Kanë kaluar 10 muaj që kur ish-ushtari i UÇK’së Bedri Curri u gjet i vrarë me një plumb në kokë, në një mal në afërsi të fshatit Korreticë e Epërme e Drenasit, prej edhe nga vinte. Drejtësia kosovare, përkundër këtyre muajve, ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen, e cila prej fillimit u konsiderua misterioze. Trupi i 37 vjeçarit ishte gjetur pikërisht në vendin ku 17 vite më parë, ai bashkë me luftëtarë tjerë, kishin kryer një sulm ndaj një grupi paramilitaresh serbë.
Prokuroria e Shtetit është duke hetuar vrasjen e 21 prillit 2016 në Korreticë të Epërme të Drenasit. Por, përkundër 10 muajve që kanë kaluar, hetuesit ende nuk kanë arritur të kenë të dyshuar konkret për vrasjen e Bedri Currit, trupi i të cilit u gjet në një mal, pak metra larg shtëpisë së prindërve të tij.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu ka thënë se lënda në fjalë është në fazën e mbledhjes së informatave të nevojshme dhe provave materiale si ekspertiza etj., duke mos u lëshuar në detaje tjera.
“Për shkak të mos ndikimit në hetime nuk mund të japim më shumë detaje lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit për Gazetën Express.
E një sugjerim të tillë, hetuesit ia kanë dhënë edhe familjes së 37 vjeçarit të vdekur, të cilët edhe po i bindën.
Të mërkurën, Gazeta Express ka takuar Vehbi Currin, babai i ish-ushtarit të UÇK’së, por ai thotë se është duke pritur punën e drejtësisë vendore për të zbardhur vrasjen e mistershme të djalit të tij.
“Ata janë tu thanë veç prit. Edhe mos me thanë kurgjo, se po pengojmë në hetime”, i tha ai Gazetës Express.
Vehbi Curri pranon vetëm t’i mohojë raportimet se djali i tij që UÇK’së i ishte bashkuar kur ishte 19 vjeç, ishte dëshmitar i mundshëm i Gjykatës Speciale, e krijuar për të gjykuar pretendimet për krimet e kryera nga luftëtarët shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.
Madje, për këtë babait i Bedri Currit edhe zotohet.
“Jo breh sashtë e vërtetë. Vec njo po të tham. Pasha qet ditë të sodit, e qet shnetë, e krejt familjen se i kam”, bën be plaku, që ushtron profesionin e rrobaqepësit.
Vrasja e Bedri Currit është kryer me një plumb në kokë, që ka depërtuar tejpërtej. Në raportet e hetuesisë, Gazeta Express merr vesh nga burime brenda Prokurorisë së Shtetit, se viktima nuk ka pasur shenja tjera dhune në trup. Derisa, trupi iu gjet në formë të ulur dhe i mbështetur për një lis.
Por, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gjurmë tjetër e ndonjë personi tjetër që ka mundur të kryej vrasjen. Aty nuk është gjetur as ndonjë plumb, sipas babait të viktimës. E për këtë Vehbi Curri ka një dyshim.
“Nuk është fjala që o vra te mali. Por te mali ka mujte me u marre e me u qu qaty”, thotë ai, përkundër se më shumë refuzon të flasë.
Çuditërisht, trupi i pajetë e 37 vjeçarit që viteve të fundit ishte zhvendosur për banim në Fushë Kosovës bashkë me gruan dhe vajzën e vetme, ishte gjetur në malin afër vendlindjes së tij Korreticë e Epërme e Drenasit, aty ky Bedri Curri gjatë luftës si pjesëtarë i UÇK’së kishte sulmuar disa pjesëtarë të ushtrisë paramilitare serbe.
Policia që në raportet e para të saj ngjarjen e kishte cilësuar si vrasje.
I ndjeri, në ditët para se të gjendej i vdekur, kishte telefonuar nënën e tij të cilës i kishte thënë se do të shkonte ta vizitonte, pasi ishte nisur për në Drenas, ku kishte një punë për të kryer. Por kjo nuk kishte ndodhur, madje një ditë pas ishte gjetur i vrarë. Polica për këtë kishte kishte venë në gjurmim telefonatat tjera që Bedri Curri i kishte bërë në të njëjtët ditë, për të renë në gjurmë të personave me të cilët ka mundur të lejë takim të njëjtën ditë viktima.