Banorët e Shtrubullovës protestojnë për emër të rrugës para Komunës së Drenasit

Banorët e fshatit Shtrubullovë kanë paralajmëruar protestë për të hënën e 27 shkurtit para Kuvendit të Komunës në orën 12:30. Nuk përjashtojnë hapa të tjerë nëse nuk u realizohet kërkesa.
Kuvendi Komunal i Drenasit ditën e nesërme do të debatojë për miratimin e vendimit për emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve tjera, respektivisht emërtimet e reja dhe ndryshimet e propozuara. Por kjo ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët.
Banorët e fshatit Shtrubullovë në këtë komunë, kanë reaguar pasi nuk u është miratuar kërkesa që rrugës kryesore në fshat t’i vihet emri ‘Agron Mehmeti’, dëshmor nga ky fshat. Në vend të kësaj, është propozuar që kjo rrugë të marrë emrin e një dëshmori nga një fshat tjetër.
Banorët janë ankuar disa herë në Kuvendin Komunal dhe në zyrën e Kryetarit të Komunës por kërkesat e tyre nuk janë pranuar.
Ata këmbëngulin në kërkesën e tyre duke e quajtur legjitime, pasi fshati ka figura me të cilat do të identifikohej. Thonë se Komisioni përkatës nuk ka marrë parasysh propozimet e tyre.
Paralajmërojnë protestë për ditën e nesërme (e hënë) para Kuvendit Komunal në orën 12:30.
Faton Shabani nga ky fshat thotë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre.
“Agron Mehmeti është një aktivist i hershëm i cili ka dhënë kontribut të madh edhe para fillimit të luftës duke u marrë me aktivitete të ndryshme të asaj kohe, ndërsa dha jetën në kufirin Kosovë-Shqipëri duke sjellë armatim bashkë me Komandantin Mujë Krasniqi. Është i turpshëm vendimi i komisionit që të bëjë ndasi tek dëshmorët e kombit, ndërsa edhe më i turpshëm është nëse asambleistët votojnë këto ndryshime”, thotë ai.
Agron Mahmut Mehmeti ishte pjesë e Brigadës 113 të zonës operative të Drenicës me Komandant Mujë Krasniqin – Kapuqin dhe u vra në Pashtrik më 14 dhjetor 1998. Ai u lind më 1973 në fshatin Shtrubullovë të Drenasit.