Veseli në Rahovec, bisedon me vreshtarët dhe verëtarët për rritjen e industrisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në Rahovec, për ta vazhduar kështu turin e tij të dëgjimit që ka filluar javën e kaluar anekënd vendit.

Veseli ka takuar vreshtarët e rajonit të Rahovecit, për t’i dëgjuar nga afër sfidat dhe idetë e tyre për rritjen e industrisë së vreshtarisë, bën të ditur një njoftim nga PDK.

Gjatë bashkëbisedimit në Shoqatën e Vreshtarëve, e cila ka rreth 4 mijë e 700 anëtarë, Veseli ka dëgjuar fermerët të cilët kërkuan më shumë mbështetje për të rritur kapacitetet e prodhimit të rrushit.

Pasi dëgjoi fermerët për idetë e tyre për fuqizimin e vreshtarisë në Kosovë, Veseli tha se do të ketë kujdes të veçantë.

“Unë kam ardhur t’ju dëgjoj. Dhe, këto nuk do të jenë pjesë të cilat unë do ti’ mbaj me vete sa për ta kaluar kohën dhe me mbetë në vesh të shurdhër, për këtë të jeni të sigurt. Kur kam ardhur sot, kam menduar më shumë për politikat afatmesme prej vitit të ardhshëm e më tutje, por i shoh edhe problematikat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt. Ne nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që Rahovec si kryeqytet i bujqësisë në Republikën e Kosovës me u ndalë. Po ua jep fjalën se do ta keni përkrahjen e plotë”, citohet të ketë thënë Veseli.

Pas takimit me vreshtarët, Veseli ka takuar anëtarët e shoqatës së verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, të cilët i ka dëgjuar për idetë për rritjen e prodhimit, për rritjen e cilësisë si dhe për rritjen e eksportit të verërave kosovare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë