Drenasi shënon 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne

Komuna e Drenasit edhe këtë vit ka vazhduar traditën tashmë disavjeçare dhe ka shënuar 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit me një Akademi Solemne. Ky përvjetor i cili shënua sot në rrethana të pandemisë, por duke zbatuar rekomandimet e parapara për mbrojtje nga pandemia COVID-19, përkon edhe me datën e fillimit të Kongresit të Drejtshkrimit i cili u mbajt në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972.
Në Akademinë e cila u organizua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Drenasit, morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, dhe të ftuar e pjesëmarrës tjerë.
Në fjalën e hapjes, nënkryetari Hasi përshëndeti të pranishmit dhe bëri një përmbledhje të shkurtër të kësaj ngjarjeje dhe theksoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit si një rezultat i një tradite dhe përpjekje shumëshekullore për liri e arsimim.
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, ndër të tjerash u shpreh e lumtur se Drenasi po vazhdon këtë traditë në përkujtim të kësaj ngjarjeje madhore në rrugëtimin historik të popullit tonë të vuajtur.
Dr. Bashkim Musliu në kumtesën e tij analizoi rëndësinë e Kongresit të Alfabetit nga këndvështrime të ndryshme si, kulturore, arsimore dhe politike, si dhe theksoi rolin e Kongresit të Manastirit për ngritjen e vetëdijes kombëtare si një përpjekje për shkëputje përfundimtare nga Perandoria Osmane. Kongresi paraqet një “Epope Kulturore për popullin shqiptar”, tha ndër të tjerash profesor Musliu.
Akademia Solemne u përmbyll me recitime e me valle nga “Shqipet e Drenicës” nga Komorani.
Kongresi i Manastirit i cili u mbajt nga data 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, kishte për qëllim unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres morën pjesë 160 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë si dhe nga komunitetet shqiptare në diasporë.