Drenori: Pandeli Majko, asnjë ndikim në Kosovë

Në datën 4 dhjetor janë mbajtur zgjedhjet për kryetar në Komunën Drenas, Kosovë, zgjedhje të cilat u fituan nga PDK-ja.
Në to kandidonte edhe Xhavit Drenori, kandidati i pavarur, i dalë nga radhët e PDK-së. Drenori njihet për qëndrimet e tij kundërshtuese ndaj partisë ku bënte pjesë edhe vet.
Nga futbollist në pjesëtar i UÇK-së në fshatin e tij të lindjes, e deri tek aktivisti politik i PDK-së. Xhavit Drenori ka studiuar në Gjermani dhe mbaruar doktoraturën për integrime evropiane. Asambleist në Kuvendin Komunal të Drenasit nga radhët e PDK-së por njëkohësisht rival i Ramiz Lladrovcit në zgjedhjet komunale.
Oponenti më i zëshëm në komunën e Drenasit, Xhavit Drenori, në një intervistë ekskluzive për dritare.net, flet për situatën në Kosovë, përfshirjen e deputetit Pandeli Majko në zgjedhjet e Drenasit, të cilën ai e quan të pavendë.
Dritare.net- Edhe pse keni dalë nga radhët e PDK-së, ju keni qenë ‘opozitari’ më i madh në Kuvendin Komunal, edhe para zgjedhjeve të 2016-ës, ku në qeverisje ishte po PDK-ja. Përse ky qëndrim?
Xhavit Drenori– Së pari dëshiroj t’ju them që angazhimi im politik në Partinë Demokratike të Kosovës e ka një histori të vetën. Në Kuvendin Komunal të Drenasit kisha marrë mandatin nga qytetarët në vitin 2013 si pjesë e një Iniciative Qytetare. Ishte dëshira dhe kërkesa e z. Enver Hoxhaj (si mik imi i mëhershëm nga studimet) dhe më pas edhe i vet ish- kreut të PDK-së z.Thaçi, që kontributin tim ta jap brenda PDK-së. Kjo kishte ndodhur në maj të vitit 2014, ku kisha marrë garanci të forta se do të më jepej hapësirë për të promovuar reforma në qeverisjen lokale në Drenas, meqë vija me një bagazh studimesh dhe praktikash parlamentare ndërkombëtare në politikë. Unë e kisha të qartë që në fillim se alternativë tjetër të ndryshimeve në Drenas do kishte të vështirë të gjente edhe vetë z. Thaçi, ish- kreu i PDK-së, meqë në strukturën e PDK-së në Drenas e sidomos në qeverisjen lokale ishte instaluar një strukturë klienteliste dhe e rrezikshme. Megjithatë, meqë po flasim për një bastion të partisë, sikur ishte arritur një “ujdi” ndërmjet ish-kreut të PDK-së dhe strukturave në Drenas, pasi që kur bëhej fjalë për zgjedhje nacionale nga Drenasi votat për PDK-në ishin me bollëk dhe drejtoheshin lehtë për deputet të caktuar. Pra, nuk ishte më në rend të parë kualiteti i qeverisjes lokale.
Me pak fjalë, duke qenë edhe vet brenda grupit parlamentar të PDK-së, unë do isha garancia që me demaskimin e qeverisjes së keqe në Kuvendin Komunal, do hapej “tema tabu” në Drenas, ajo e ndryshimit të mendësisë qeverisëse. Dhe këtë demaskim të keqqeverisjes e bëra pa kompromis për tri vite në Kuvendin Komunal, ku si asamblist që isha përveç ngritjes së shqetësimeve për t’i zgjidhur, i postoja në rrjete sociale, në media (kryesisht portale) dhe ato që klasifikoheshin si shkelje të mëdha, dërgoja edhe denoncime në njësitet e Policisë kundër korrupsionit dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Të gjithë këto hapa “radikal” në luftimin e së keqes në qeverisjen lokale në Drenas, sikur kishin marrë edhe mbështetjen e heshtur nga Prishtina. Ata ishin të mirëinformuar, sepse veprimet e mia “radikale” të luftimit të së keqes, shpejt filluan t’i prezantohen publikut edhe nga TV-të nacionale.
Dritare.net- Para zgjedhjeve, ju keni thënë për PDK-në “nuk jam njeri i momenteve të pazareve të fundit”. Çfarë keni dashur të thoni me ketë?
Zgjedhjet e 4 dhjetorit në Drenas ishin të jashtëzakonshme dhe kur ato u shpallën, unë të gjithë potencialin tim e koncentrova që të bind krerët e PDK-së në qendër se është nevojë e kohës që të hapet debat rreth kahjes së qeverisjes lokale në Drenas, para se të fillonte lakimi i emrit për kandidatin e ardhshëm nga PDK-ja për kryetar komune. Ky në fakt ishte kushti im kryesor për të vazhduar angazhimin tim politik brenda PDK-së në Drenas. Pra, me një fjalë, nuk isha shumë i interesuar të isha unë kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit. Ky debat nuk ndodhi, e kuptova edhe debati për vetë emrin e kandidatit për kryetar ishte vetëm farsë, sepse nuk kishte të paktën disa kritere për profilin e tij ose saj. PDK-ja nuk e shpalli emrin e kandidatit deri në afatin e fundit ligjor për të dërguar emrin e tij/saj në KQZ për çertifikim duke provuar që të shterrë mundësitë që kundërkandidatët e PDK-së, si puna ime, të josheshin me ndonjë pozitë ose më keq edhe të shantazhoheshin për tu tërhequr nga gara. Në vend që të hapej debati i mirëfilltë për kandidatin më serioz dhe meritues për kryetar komune. Unë kur kam shpallur kandidaturën time kam kërkuar edhe publikisht të më lënë të qetë në rrugën time të imponuar (si kandidat i pavarur) në garën zgjedhore dhe gjithashtu publikisht ju kisha kërkuar që çdo negociatë për marrëveshje politike do isha në dispozicion pas 4 dhjetorit, pra pas përfundimit të raundit të parë.
Dritare.net- Përse vendosët të kandidoni i pavarur për zgjedhjet e datës 4 dhjetor 2016, ku në raundin e parë të votimeve, ju dolët i treti?
Tri vite aktivitet në kuvendin komunal, 130 vizita në terren, pastaj relacioni im i afërt me qytetarët, sidomos të fshatit tim të lindjes, ku për çdo fundvit u kisha dërguar një raport përmbledhës vjetor të punës në kuvendin komunal, në funksion të përfaqësimit të interesave të gjithmbarshme. Praktikë kjo e mësuar në Bundestagun gjerman, ku për 5 muaj kisha pasur mundësinë të mësoj në zyrën e një deputeti gjerman në vitin 2008. Takimet e rregullta në fshat por edhe në zyrën time në Drenas, kishin bërë që unë të isha i njohur për qytetarët e Drenasit. Aktivitetet e lartshënuara zakonisht publikoheshin në media dhe rrjete sociale duke mbajtur qytetarët e Drenasit të informuar për çdo gjë në relacion qytetarë-komunë, me kishin krijuar një relacion të sigurtë me qytetarët e Drenasit dhe kandidatura ime edhe si i pavaruar do të mbështetëj në një masë të caktuar, sado që bëhëj fjalë për një komunë që njihej si bastion i pa thyeshem i PDK-së.
Dritare.net- Deputeti Pandeli Majko e ka quajtur fitues kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladroveci, para se të zhvilloheshin zgjedhjet. Si ishte ndikimi i Shqipërisë nëpërmjet Majkos në këto zgjedhje?
Përzierja e z. Majko në procesin zgjedhor në Drenas besoj që nuk ishte hap i qëlluar, duke pasur parasysh që z. Lladrovci pas lufte nuk ka krijuar një profil të mirë në Drenas. Megjithatë, duke pasur parasysh miqësinë e tyre nga lufta e sidomos nga paslufta, këtu kam parasysh edhe milionat e Fondit të luftës “Vendlindja Thërret” për të cilin z. Lladrovci asnjëherë nuk dha llogari, ndoshta ashtu kërkohej të vepronte z. Majko. Megjithatë, në rezultatin e 4 dhjetorit afërsia, respektivisht mbështetja e hapur që z. Majko i kishte bërë z. Lladrovci për zgjedhjet në Drenas nuk u vërejt fare.
Dritare.net- Pasi PDK dhe Nisma për Kosovën dolën në balotazh, ju i propozuat dy partive një marrëveshje. PDK-ja nuk pranoi, ndërkohë Nisma për Kosovën pranoi. Cila ishte kjo marrëveshje dhe a janë realizuar pikat e saj?
Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve të 4 dhjetorit më kishte renditur mua si subjektin e tretë për nga votat, pra meqë kishim balotazh, domosdo isha një faktor për zgjedhjet e raundit të dytë. Megjithatë, pas diskutimeve të brendshme me ekipin tim, erdhëm në përfundim se ne nuk do marrim pjesë fare në qeverisjen e re lokale, meqë nuk kishim shumë besim tek asnjëri kandidat. Megjithatë, me 12,6% të votave që kisha grumbulluar në raundin e parë, do duhej të sugjeroja votuesit për mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat. Me ekipin tim arritëm në solucionin, që do t’ju ofrojmë marrëveshje të dy kandidatëve që shkuan në balotazh dhe në bazë të nënshkrimit të saj apo jo, ne edhe do të sygjeronim votuesin tonë që të votonin në balotazh kandidatin që do ta pranonte marrëveshjen. Marrëveshja kishte të listuara disa pika të programit tonë zgjedhor. Ato, në fakt, ishin imperativ i kohës për veprim të shpejtë në qeverisjen lokale në Drenas. Njëra nga to ishte edhe spastrimi i arsimit në Drenas nga mësimdhënës të pakualifikuar dhe me diploma false. Kjo marrëveshje ishte shumë vështirë të pranohej nga z. Lladrovci, meqë pikërisht Drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim në Drenas dhe drejtorët e shkollave me mësimdhënësit, ishin bërë klientelë e mbledhjes së votave për z. Lladrovci, persona zyrtar këta që drejtpërdrejtë ishin përfshirë në mbulimin e keqpërdorimeve të pozitave zyrtare. Sidomos gjatë punësimit të mësimdhënësve dhe pranimi i kësaj marrëveshje do të thoshte automatikisht që në balotazh do të humbte një strukturë makinerie votash në këmbim të mbështetjes së votuesve të mi. Z. Lladrovci kishte deklaruar se pikat e propozuara ishin njëkohësisht edhe pika të programit të tij, megjithatë dy muaj pas marrjes së mandatit përveç shkarkimit të Drejtorit të Drejtorisë Komunale për Arsim, i cili ishte gjetur nën presion të mediave për heshtje në një falsifikim masiv të notave në një shkollë fillore, dhe vendosja e tij në një pozitë tjetër në administratën komunale, ai nuk ka ndërmarrë ndonjë hap tjetër qe do të përmirësonte gjendjen e arsimit në Drenas.
Dritare.net- Përse vendosët që në kërkesat tuaja të mos jeni pjesë e qeverisë, por në rolin e asamblistit të monitoroni mbarëvajtjen e marrëveshjes? Cili është roli juaj tani?
Ishte disponim imi, i ekipit tim dhe mbështetësve të mi që të respektoj rezultatin e 4 dhjetorit dhe të mos marrë pozita në qeverisje lokale, mirëpo meqë që nga zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 ushtrojë mandatin e Asambleistit në Kuvendin Komunal dhe nga ai pozicion kam hapësirë të mjaftueshme për të monitoruar qeverisjen e re dhe të përfaqësojë interesat e përgjithshme të qytetarëve të Drenasit. Me këtë dëshiruam gjithashtu t’i ofrojmë politikbërjes në Kosovë një praktikë tjetër, ku shumë më të rëndësishme do të jenë ndryshimet pozitive në qeverisje, sesa emri i personave respektivisht pozitat.
Dritare.net- Rreth tre muaj pas zgjedhjeve, si është Drenasi i qeverisur nga Ramiz Lladrovci?
Vërehet një impuls pozitiv në qeverisjen lokale prej kur është zgjedhur z. Lladrovci në krye të saj por fatkeqësisht jo substencial, çfarë urgjentisht kërkohet. Ka bërë disa emërime të reja në ekipin e tij, mirëpo në disa dikastere nuk ka pasur fuqinë dhe guximin, si p.sh. në Drejtorinë Komunale për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, ku pas arsimit ky resor do të duhej të mbahej si prioritet. Në këtë drejtori ka pasur keqpërdorime masive dhe për shkak të forcës politike të drejtorit të këtij dikasteri, z. Lladrovci nuk e ka ndërruar atë nga pozita. Pra, ndryshimet që vërehen janë më tepër kozmetike sesa që do të prekin substancën, meqë shumë nga keqpërdoruesit e pozitës zyrtare, që tashmë kanë edhe denoncime dhe kallëzime penale tek organet e ndjekjes, ata i kishin ndihmuar me vota z. Lladrovci dhe me këtë ia pamundësojnë atij që të bëj më shumë ndryshime.
Dritare.net- Kosova mbushi nëntë vjet pavarësi. Çfarë po shkon keq në këtë shtet të ri?
Sado që ka zhvillime pozitive në ngritje të institucioneve, Kosova sot lëngon nga mosfunksionalizimi i tyre, respektivisht keqpërdorimi nga zyrtarë të caktuar i institucioneve për interesa të ngushta personale dhe klanore. Kosova sot vuan nga administrata joprofesionale dhe e politizuar. Kulmi i së keqes në Kosovë është mosefikasiteti i gjyqësorit.
Jam dëshmitar i një sërë denoncimesh dhe kallëzimesh penale kundër personave që kishin abuzuar skajshmërisht me pozitat zyrtare dhe sado që kam faktet, veprime konkrete që do të nxirrnin para përgjegjësisë zyrtarë të profilit të lartë nuk ka, prandaj sistem të mirëfilltë gjyqësor në Kosovë nuk ka ende. Kjo po ndikon në masë të madhe që keqbërësit të zhvillojnë aktivitetin e tyre në dëm të proceseve pa frikë dhe me intensitet të shtuar.
Kur kësaj i shtohet fakti që tani e sa kohë kemi nepotizëm, familjarizëm, korrupsion, krim ekonomik, papunësi dhe varfëri, që janë instaluar në shumë sfera të jetës shoqërore, atëherë del se ky nuk do të duhej të ishte shteti për të cilin me dekada e shekuj deri më 2008 u sakrifikuan aq shumë patriot, intelektual dhe atdhedashës tanë. Kjo qeverisje e dështuar që po ia humb imazhin Kosovës edhe në botë dhe me këtë po e pamundëson ardhjen e investitorëve të jashtëm, duhet të ndërrohet sa më parë me votat e popullit të zhgënjyer, i cili gjatë zgjedhjeve në Drenas më ka dhënë kurajon se megjithatë ka shpresë për ndryshime drejt një qeverisje për popullin e jo mbi kurriz të popullit. Thuhet se aty ku qeveria friksohet nga populli kemi demokraci, ndërsa aty ku populli friksohet nga qeveria kemi anarki, kështu që synimin duhet ta kemi të arrijmë stadin e llogaridhënies së qeverisë para popullit, që deri tani nuk ka ndodhë kurrë./ dritare.net