Veseli takon Metën, merr mbështetje për demarkacionin me Malin e Zi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar sot vizitën zyrtare në Shqipëri, me pritjen që i rezervoi homologu i tij, Ilir Meta.
“Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, të dy kryeparlamentarët biseduan për raportet e shkëlqyera që të dy vendet tashmë kanë shtrirë pothuajse në cdo sferë, ndërsa theksuan interesimin për të intensifikuar dhe thelluar më tej ato”, thuhet në një njoftim nga Kuvendi.
Veseli tha se vizita e tij në Shqipëri, menjëherë pas përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka simbolikën e saj të falenderimit për mbështetjen e madhe të Shqipërisë ndaj shtetit të Kosovës.
Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë dhe synime të qarta euro-atlantike.
“Kosova mund të përfitojë përvoja të mira nga rrugëtimi i Shqipërisë në këtë proces”, citohet të ketë thënë Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova duhet të kryej obligimet e saj ndërkombëtare, ndërsa të gjithë përfaqësuesit politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se marrëdhëniet midis Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, tashmë kanë hyrë në një nivel të ri bashkëpunimi.
Ai shprehu edhe njëherë mbështetjen e parezerve të shtetit shqiptar për Kosovën në të gjitha rrafshet, ndërsa, në mënyrë të vecantë, në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, bën të ditur njoftimi.
Meta theksoi mbështetjen e plotë për realizimin e Marrëveshjes së demarkacionit midis Kosovëss e Malit të Zi, proces ky, i cili sipas kreu të Kuvendit të Shqipërisë, do të zhbllokonte procesin e liberalizimit të vizave për qyettarët e Kosovës dhe do t’i jepte hov të ri procesit të integrimit evropian të saj.
Meta vlerësoi lart maturinë e institucioneve të Kosovës karshi provokimeve të fundit të Serbisë, ndërsa së bashku me kryetarin Veseli, shprehën edhe njëherë keqardhjen për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.