Lladrovci: Beteja e Llapushnikut në opinionin botëror dëshmoi se UÇK ishte forcë serioze ushtarake

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kujtuar 22 vjetorin e Betejës së Llapushnikut, ku për tri ditë radhazi, u zhvilluan luftime të rrepta të cilat morën edhe vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.
Lladrovci ka shkruar se “Beteja e Llapushnikut mori vëmendjen e opinionit botëror sepse dëshmonte se UÇK-ja ishte forcë serioze ushtarake, e organizuar dhe po forcohej për luftëra me ushtrinë okupatore, deri në çlirimin e Kosovës”.
Postimi i plotë Lladrovcit:
Për tri ditë, u zhvilluan luftime të ashpra në Grykën e Llapushnikut, para 22 vjetësh. Beteja ishte e një rëndësie të veçantë, sepse, forcat serbe nuk e mendonin se rrugët magjistrale që ju shërbenin për furnizime dhe lidhje, mund të ndërpriteshin.
Kjo ngjarje madhore në kalendarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u zhvillua dy muaj pas rënies së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Jasharajve, që shërbeu për mobilizim të paparë deri më atëherë.
Ky mobilizim bashkoi më të devotshmit e më të përkushtuarit e kombit për çlirim, nën uniformën e UÇK-së, gjë që mobilizoi edhe botën demokratike të vihet në anën tonë, në anën e luftës së drejtë që po bënte Kosova.
Beteja e Llapushnikut mori vëmendjen e opinionit botëror sepse dëshmonte se UÇK-ja ishte forcë serioze ushtarake, e organizuar dhe po forcohej për luftëra me ushtrinë okupatore, deri në çlirimin e Kosovës.
Lavdi dëshmorit të Grykës së Llapushnikut, Besim Halilaj!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!