Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.
Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, monitorues nga OSBE-ja dhe përfaqësues nga KFOR-LMTK15.
Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:
Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 18.12.2019;
Draft plani i punës së KKSB-së për punën e vitit 2020;
Draft orari i punës së KKSB-së për vitin 2020;
Diskutim lidhur me dukuritë negative në shkolla dhe për mundësitë e vendosjes së kamerave të sigurisë;
Diskutim lidhur me kërkesën e Qendrës për Hulumtime dhe Politika të Sigurisë (SPRC) për bashkëpunim;
Të ndryshme.
Pika e parë, e dytë dhe e tretë u aprovuan unanimisht.
Për pikën e katërt, u kërkua që të krijohen mundësitë për mbajtjen e orëve të kujdestarisë dhe se pas sqarimeve të Drejtoreshës së DShPE-së, Lumnije Krapi, konkluzioni ishte se justifikimet për mos mbajtje të lidhura me çështje të transportit nuk qëndrojnë. Megjithatë, u dakordua që të bëhet një koordinim më i mirë i akterëve duke përfshirë edhe Drejtorinë e Inspeksionit.
Në mbledhje u kërkua edhe angazhim më i madh i pedagogut dhe psikologut të shkollës si dhe që DKA të bëjë kërkesë MAShT-it që ora e kujdestarisë në shkolla të bëhen obligative. Përfaqësuesit e policisë deklaruan se policia është e pranishme në afërsi të shkollave dhe se veprojnë në respekt të autoritetit të shkollave. Nënkryetari Nazmi Hasi, Drejtori i DKA-së, dhe Arben Nika, përfaqësues nga EVSB, sqaruan për të pranishmit se për momentin një Komision është duke hartuar një rregullore për organizimin e punës në institucionet edukative-arsimore dhe kjo do të ndihmojë në përmirësimin e situatës në shkolla.
Muhamet Gjoka, Drejtor i Arsimit në Komunën e Drenasit, i njoftoi të pranishmit me përpjekjet nga kjo drejtori për sigurimin e kamerave për disa nga shkollat e Drenasit.
Në mbledhje u theksua edhe mungesa e një mediumi lokal përmes të cilit do të promovohej edhe puna e KKSB-së dhe do t’i përcillte aktivitetet tjera rinore dhe kulturore.
Pika e pestë, kërkesa e Qendrës për Hulumtime dhe Politika të Sigurisë (SPRC) u aprovua për mbledhjen e radhës më 15 prill.
Për pikën e gjashtë nuk pati diskutime.
Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)