Sulmohet shtëpia e Shaban Sylës, të dënuarit në rastin ‘Bllaca 2’

Mbrëmë pas mesnatës persona me armë dhe maska kanë sulmuar shtëpinë e Shaban Sylës, personit të dënuar në rastin “Bllaca 2”.
Personat deri tash të paidentifikuar kanë kërcënuar familjen se “do t’i vrasin ata dhe median që i ka publikuar përgjimet”. Të njëjtit më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Më date 19.11.19 rreth orës 01:00 ankuesi L.S. përmes telefonit ka informuar Policinë e Kosovës se disa persona kanë hyrë dhe e kanë kërcënuar në oborrin e shtëpisë se tij”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
“Njësitë Policore nga Stacioni Policor Drenas i’u janë përgjigjur rastit. Lidhur me këtë rast është kontaktuar Prokurori Kujdestar dhe me urdhër te prokurorit rasti është iniciuar si ‘Kanosje’ dhe Shkaktim i rrezikut të Përgjithshëm. Ju njoftojmë se ne këtë rast nuk ka pasur persona te lënduar”
Rastin e ka konfirmuar edhe njëri nga anëtarët e familjes Syla. Ai ka thënë nuk e di nga kush janë kërcënuar.
“Po është e vërtetë, policia është duke u marr me rastin. Nuk e dimë kush janë personat. Ata janë me maska edhe nuk dihet. Nuk kemi asnjë dyshim”, ka thënë ky person.
“Kanë ardh te dera e hyrjes ku jetojna edhe kanë thanë që ndalni përgjimet ose përndryshe kena me ju vra edhe juve edhe ata që po i publikojnë”.