Haradinaj: Vizat liberalizohen këtë vit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, sërish ka folur rreth liberalizimit të vizave dhe duke komentuar deklaratën e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, Haradinaj tha se ‘e di që ka plot skeptikë’ rreth këtij procesi, por se vizat do të liberalizohen këtë vit.

“Sa i përket liberalizimit, shiqoni unë e dëgjova zonjën Apostolova, i dëgjoj të gjithë, unë e di që ka plot skeptikë, ndoshta ka plot të atillë që nuk kanë qejf me pa liberalizimin, por mos harroni që jemi në punë, gjatë këtij muaji, gjatë muajit nëntor, ne e përmbyllim edhe një proces të rëndësishëm që me ndodhë marrja e vendimit këtë vit”, ka thënë Haradinaj në konferencë për media, përcjell Periskopi.

I pyetur nga gazetarët se çka ndodhë nëse ‘liberalizimi i vizave’ i mbetet qeverisë së ardhshme, ai tha:

“Shpresoj që po, mundet me i mbetë edhe qeverisë tjetër, por s’ka dert. Unë muj me shku në shpi sot, ata me ardhë nesër, por s’ka rëndësi”.

Ndryshe, ditë më parë, Apostolova nuk ka preferuar të flasë me afate kohore për vizat, pasi që ka thënë se ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar.

“E kuptoj plotësisht pritjen e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Procesi është i gjatë dhe kompleks, ku të gjitha institucionet evropiane janë të përfshira në një fazë të caktuar”, ka thënë Apostolova.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë