KQZ-ja po pret vendimin e Supremes për votat e mërgatës që ta shpallë rezultatin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për ankesat që kanë bërë dje nga Lëvizja Vetëvendosje për votat e ardhura nga diaspora. Kështu ka bërë të ditur KQZ-ja në një përgjigje për Gazetën Express.

Nga KQZ-ja zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se aktualisht nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare sepse duhet të priten çështjet që janë parashtruar në institucionet tjera.

“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare sepse duhet të presim përfundimin e të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera. Pra, para se të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja kërkon konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur. Vetëm pasi të kemi këto konfirmime, KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare”, ka thënë Elezi, derisa ka konfirmuar se tani ka mbetur vetëm ankesa e VV-së, në Gjykatë Supreme.

“Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesën që është parashtruar”, ka deklaruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje është ankuar dje në Gjykatë Supreme për 1806 fletëvotimet e mërgatës të cilat nuk janë numëruar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë