Rinumërimi i 313 vendvotimeve fillon të enjten pasdite – do të marrë kohë disa ditë

Rinumërimi i 313 vendvotimeve nga komuna të ndryshme do të fillojë të enjten pasdite. Lajmi është konfirmuar për Indeksonline nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Të enjten pasdite do të fillojë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat mori vendim KQZ-ja”, tha Elezi.

Ai shtoi se ky proces do të marrë kohë disa ditë dhe do të zhvillohet në prezencë të vëzhguesve dhe të mediave.

Vendimi për rinumërimin e 313 kutive të votimit u mor sot në mbledhjen e KQZ-së. Aty kryetarja e këtij institucioni sqaroi se nga ky numër rinumërimi i 303 vendvotimeve vjen për shkak të një gabimi teknik në shtypjen e formularëve ku shënohen rezultatet.

“S’po flitet për manipulim, por për një gabim teknik që ka ndodhur, për shkak të shtypjes së gabueshme të formularëve. Duhet të deklarohet publikisht e të mos fshihemi. Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme. Sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Janë shpërndarë të njëjtit formularë dhe të njëjtit e kanë pasur gabimin teknik që subjektet të cilat ishin të renditura në fletëvotimin, dhe në formular, por subjektit të parë i mungon rubrika. Për rrjedhojë të kësaj, disa komisionarë të cilëve iu ka ndez llamba, i kanë shkruar me saktësi, por disa të tjerëve që s’iu ka ndez llamba kanë vazhduar nga subjekti i dytë dhe kanë krijuar një huti”, ka thënë Daka në mbledhjen e KQZ-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë