“Pazare” për emrat e deputetëve nga Vetëvendosje në Drenas? – Flasin nga qendra

Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas është duke hasur në problem rreth zgjedhjes së kandidatëve për deputet nga kjo komunë.

Problematik po del të jetë emri i Ajvaz Berishës e Xhavit Drenorit.

Insajderi merr vesh se disa aktivistë nga qendra e Drenasit janë duke bërë presion që të refuzohet kandidatura e Ajvaz Berishës, për shkak profilit të këtij të fundit. E që sipas tyre po është bërë pazar për emrin e tij edhe nga ana e Xhavit Drenori.

Në lidhje me këto pakënaqësi, Insajderi ka kontaktuar me Shemsi Elezi, kryetarin e Vetëvendosjes në Drenas. Elezi pohoi se Xhavit Drenori është tërhequr nga gara, teksa shtoi se emri i Ajvaz Berishës figuron në listën për deputet nga radhët e VV në Drenas.

Ai nuk ka mohuar se mund të ketë pakënaqësi nga aktivistet, porse duhet të adresohen në strukturat e Lëvizjes.

“Nuk ka asnjë lloj problemi, vetëm se Ajvaz Berisha është kandidu për deputet, teksa Drenori është tërhequr e ndoshta aktivistët kanë pakënaqësi, por këto pakënaqësitë i adresojnë në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëse ka ankesa të mëdha, adresohen dhe është në vullnetin e kandidatit të Lëvizjes edhe partisë në përgjegjësi se cila është formula më e mirë për mos me u dëmtu partia”, është shprehur Elezi për Insajderin.

Derisa ka folur për tërheqjen e Drenorit, Elezi ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të kuotës – numrit të kufizuar për kandidatët për deputet nga kjo komunë.

Në anën tjetër, Xhavit Drenori tha se u tërhoq nga gara për arsye morale. Sipas tij është e padrejtë të hyjë në listën për deputet nëse Këshilli i Drenasit nuk e ka kaluar kandidaturën e tij.

“Kam vendosur të tërhiqem sepse moralisht mendoj që është e padrejtë me hy në garë prej kryetari të Vetëvendosjes meqë ai e ka mundësinë që 1/5 e listës me caktu vet. Përderisa nuk e kam kalu garën në një prej forumeve ma të rëndësishme të partisë që është Këshilli në Drenas, ata nuk e kanë kalu kandidaturën time, për këtë arsye mua më duket e padrejtë me konkuru, ose me u kandidu dhe për këtë arsye kam vendos mos me u leju me u kandidu edhe në qoftëse veç kryetari i partisë ka vendos që emrin tim me vendos në listën e garueseve për ulësen në Parlamentin e Kosovës”, ka deklaruar ai për Insajderi.

Drenori theksoi se edhe pse emri i tij nuk është në listë, ai do të jetë në vijë dhe në çdo organizim për t’a përkrahur Lëvizjen.

Nesër (e premte) është afati i fundit që partitë politike të regjistrojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit./Insajderi.com

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë