Befason Tahirsylaj: Edhe nesër temperatura përvëluese, nga e mërkura mund të ketë breshër

Temperaturat në vendin tonë kanë shënuar rritje. Mirëpo, si duket ditëve të nxehta në Kosovë po u vjen fundi. Ani se temperaturat për ditën e sotme kanë arritur në 36,2 gradë celsius, nga nesër moti pritet të ftohet. Kështu paralajmëron për Express, eksperti i metrologjisë, Sylë Tahirsylaj.

“Vendi është në ndikimin e fushës së lartë të shtypjes atmosferike e cila në ditët në vijim nuk do të jetë e qëndrueshme. Duke filluar nga e mërkura do të ketë përkeqësim të motit i cili do të përcillet me reshje shiu dhe deri në fund të javës temperatura do të zbresë për 10 gradë celsius”, ka deklaruar ai.

E nga e enjtja, Tahirsyla deklaron se vendi mund të përballet me reshje breshëri ani se Kosova nuk ka sistem të mbrojtjes kundër reve dhe breshrit. Tahirsylaj thotë se gjithçka është në dorën e perëndisë.

“Do të ketë shkarkime atmosferike dhe vende vende ka mundësi që të ketë edhe breshër. Meqenëse Kosova nuk ka sistem të mbrojtjes kundër breshrit dhe reve, është në mëshirën e perëndisë. Do të ketë erë nga ana e veriut dhe verilindjes dhe stuhi të furishme që më të theksuarat do të jenë në rrafshin e Dukagjinit”, thotë eksperti i meteorologjisë në Kosovë, Sylë Tahirsylaj.

E në bazë të matjeve profesionale që janë bërë në stacionin meteorologjik satelitor, i cili funksionon në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë, temperaturat maksimale për ditën e sotme kanë arritur në 36,2 gradë celsius.

“Temperaturat minimale në shkallë vendi pas ditës së mërkurë do të luhatet nga 12 deri në 14 dhe më e larta ditore 22-25 gradë celsius. Ndërkohë sipas matjeve, temperaturat për ditën e sotme do të shkojnë deri në 36.2 gradë celsius”, thotë Tahirsylaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë