Lladrovci deklarohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së në Drenas

Sejdi Hoxha është ngjitur në krye të PDK’së në bastionin e partisë. Ai ka marrë 130 vota, ndërsa Naim Bazaj 76. Ndërsa Kushtrim Prenku ka marrë vetëm 40 vota.
Udhëheqësi i Postës, Sejdi Hoxha, pritet të japë dorëheqje nga udhëheqja e kompanisë publike pasi sot është votuar për Kryetar të PDK’së në Drenas. Zgjedhjen e tij e ka përshëndetur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ky është postimi i plotë i Lladrovcit:
Përgëzime kryetar Sejdi Hoxha!
Pas një procesi zgjedhor, demokratik, në përputhje të plotë me rregulloret e Komisionit Qendror për Zgjedhje të Brendshme, me shumicë votash, delegatët e Degës së PDK-së, në Kuvendin e sotëm zgjedhor, zgjodhi Sejdi Hoxhën për kryetar.
Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Grupin Strategjik si dhe Komisionin për Organizimin e Zgjedhjeve Lokale, për përkushtimin dhe angazhimin gjatë tërë procesit zgjedhor.
Në veçanti përgëzoj të gjithë delegatët, të cilët në mënyrën më demokratike, përzgjodhën njërin nga tre kandidatët, që e vlerësuan me votën e tyre, sipas vullnetit të vet të lirë.
Përgëzoj të gjithë anëtarësinë dhe simpatizantët e PDK-së në Degën e Drenasit, të cilët tërë procesin zgjedhor, nga seksioni, nëndega dhe sot, në Kuvendin e Degës, e përcollën me dinjitet, korrektësi dhe garë fer, procedurat dhe udhëzimet e përpikta për këtë proces.
Dekada e Re, në Drenas do të fuqizohet, jo vetëm me Kryetarin e ri, Z. Sejdi Hoxha, por edhe me Kuvendin e ri të Degës dhe delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së, duke e rikonfirmuar se Drenasi, ishte, është dhe mbetet bastion i PDK-së, ashtu siç dje, ishte bastion i UÇK-së!
Kryetarit të ri, Sejdi Hoxhës dhe Kryesisë së re, i ofroj përkrahje dhe bashkëpunim të plotë, në të gjitha nivelet, duke u zotuar se së bashku, Dekada e Re dhe vizioni i liderit tonë, Kadri Veseli, është rruga jonë e vetme për komunën dhe qytetarët tanë, në shërbim të mirëqenies së çdo qytetari pa dallim.
Urime kryetar Sejdi Hoxha!