Për 10 vjet në Kosovë mund të vijnë ftesa nga Specialja

Njëri nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Mendim Daka, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale, i cili më 13 maj të këtij viti pritet të intervistohet në Hagë. Daka është personi i fundit që ka marrë ftesë nga Specialja, shkruan Gazeta “Zëri”.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se misioni i Gjykatës Speciale mund të zgjasë edhe më shumë se 10 vjet, andaj gjatë këtyre viteve kjo gjykatë ka të drejtë të dërgojë ftesa.

“Deri në datën e mbylljes së misionit të tij, i cili do të jetë më tepër se 10 vjet, Specialja ka të drejtë t’u dërgojë ftesa të gjithë ish-prestarëve të UÇK-së, pa marrë parasysh se ata do të ftohen në cilësinë e të dyshimtit ose të dëshmitarit. Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka të drejtë që në çfarëdo faze të hetimit para ngritjes së aktakuzës ose pas ngritjes,ta ftojë secilin për të cilin mendon se mund t’i ndihmojë në grumbullimin e provave, ose i cili mund të jetë shënjestër e akuzimit të ardhshëm nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se gjëja më e frikshme sa i përket Gjykatës Speciale është se numri më i madh i dëshmitarëve janë nga Serbia. “Numri më i madh i dëshmitarëve vjen nga Serbia dhe dokumentacionet kryesore vijnë nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës të Serbisë dhe nga Gjykata për Krime të Luftës, e cila gjendet në Beograd. Këtë e kanë lejuar deputetët tanë me votimin e ligjit të tillë. Prova të tilla mund të shqyrtohen në akuzat dhe në gjykimet”, ka theksuar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë