Zgjedhjet në PDK-në e Drenasit, Lladrovci kërkon garë fer dhe transparente

Sonte përfunduan takimet njoftuese për procesin e brendshëm zgjedhor në të gjitha nëndegët e Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Drenasit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se këto takime, ishin shumë të mira dhe me mobilizim të shtuar të qytetarëve, simpatizantëve, anëtarëve si dhe strukturave të PDK-së për këto zgjedhje, duke u bërë pjesë e platformës Dekada e Re dhe vizionit të liderit, Kadri Veseli.

“Ftoj qytetarët e Drenasit, aktivistët, simpatizantët dhe anëtarët e PDK-së, të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, duke propozuar dhe duke qenë i propozuar, për strukturat lokale si dhe delegimin e anëtarëve më të përgatitur dhe më të devotshëm për kryesinë e Degës, Këshillin drejtues, si dhe delegatët për Konventë dhe përfaqësim në nivelin qendror”, ka thënë Lladrovci, transmeton DrenicaOnline.

Partia politike është bashkim i vullnetshëm i qytetarëve, konform programit dhe statutit të partisë, prandaj, secili anëtarë, e ka në dorë të drejtën për të propozuar dhe për të qenë i zgjedhur, duke mos njohur autoritet tjetër pos atij të votës së lirë.

“Prandaj, ftoj të gjithë qytetarët pa dallim profesioni apo gjinie, të bëhen pjesë e procesit, të zgjedhin më të mirët për përfaqësim, duke rikonfirmuar se vota është përcaktuesi kryesor i organizimit politik demokratik”, ka thënë ai.

Deri më tani, sipas Lladrovcit, disa herë e ka theksuar se nuk kam asnjë ambicie për zgjedhje në krye të Degës së PDK-së në Drenas. Gjithsesi, ai ftoj kandidatët të cilët kanë ambicie dhe pretendojnë se kanë vlera dhe kapacitet për ta udhëhequr degën e PDK-së në Drenas, të zhvillojnë garë fer dhe transparente, në veçanti i ka inkurajuar të rinjtë që të jenë pjesë e këtij procesi.

“Ftoj secilin aktivist të PDK-së, të bëhet pjesë e avancimit të organizimit politik të degës së PDK-së në Drenas, duke qenë gjithëpërfshirës, me kuptim për demokracinë e brendshme dhe reflektim pozitiv për pushtetin lokal dhe qendror, duke zgjedhur më meritorët në krye të nëndegëve si dhe organizimin në degë dhe nivelin qendror, si bastion i fitoreve të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit Lladrovci, gjithmonë ka bashkuar qytetarët, vlerat dhe sukseset në favor të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, me besim, zhvillim dhe integrim!

“Urime dhe suksese për kandidatët për zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Drenas, dalshim faqebardhë!”, ka deklaruar në fund Lladrovci./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë