Thaçi nga Munih: Këtë vit marrëveshja Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferenca e Sigurisë në Munih, përmes profilit të tij në Facebook ka theksuar atë që tashmë edhe SHBA-të e kanë theksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet brenda këtij vitit.

Ai ka shkruar se diskutimet me liderë botërorë janë frymëzuese dhe inkurajuese. Thaçi ka paralajmëruar se në fjalimin tim pasdite do të flas për domosdoshmërinë për arritjen e marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“ Këtë vit rajoni po përmbyll dy çështje të mëdha, atë të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

“Konferenca e Sigurisë në Munih këtë vit ka në fokus bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes në Evropë dhe tregtinë ndërkombëtare. Një vëmendje të veçantë ka edhe Ballkani Perëndimor dhe përpjekjet tona për të forcuar paqen në rajon. Diskutimet me liderë botërorë janë frymëzuese dhe inkurajuese. Edhe në fjalimin tim pasdite do të flas për domosdoshmërinë për arritjen e marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë vit rajoni po përmbyll dy çështje të mëdha, atë të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se nuk është shumë optimist se këtë vit do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizim të raporteve.

Këto deklarime kreu i shtetit serb i ka bërë në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, duke thënë se po lufton që të gjendet një kompromis me gjithë forcat e tij, megjithatë thotë se e gjithë vazhdimësia e dialogut varet nga Prishtina dhe vendimi për të hequr taksën ndaj produkteve me origjinë serbe, raporton Gazeta Express.

Agjencia austriake është interesuar edhe për zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe protestat që po mbahen kundër pushtetit të Vuçiqit, megjithatë presidenti serb ka thënë se për momentin çështja më e rëndësishme për Serbinë është zgjidhja e konfliktit me Kosovën.

“Çështja më e rëndësishme për ne është pyetja se si do ta zgjidhim problemin e Kosovës”, ka nënvizuar Vuçiq.

Sipas tij në momentin që të vazhdojë dialogu me Prishtinën, pastaj do të koncentrohen në ekonominë e Serbisë, dhe më pas edhe në çështjen e zgjedhjeve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë