Mbahet Akademia Përkujtimore për Haradin Balën

Me rastin e njëvjetorit të vdekjes, në sallën e Kulturës në Drenas është përkujtuar ish luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradin Bala.
Salla e Kulturës në Drenas ishte e mbushur për të nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës, ushtarin e UÇK-së, Haradin Bala. Ne këtë akademi përkujtimore është vlerësuar lartë kontributi i tij për liri dhe pavarësi të Kosovës si dhe në mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se Haradin Bala e ka dëshmuar sakrificën e vet para luftës, gjatë luftës por edhe në Tribunalin e Hagës. “Ju garantoj se ne do të jemi në përkujdesjen jo vetëm të familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve, por edhe invalidëve, familjeve të zhdukurve, viktimave civile dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Drenasit. Haradin Bala ka caktuar fatin e vet nga tradita e familjes, nga babai Selmani dhe vëllau Abedini, të cilët në kohërat më të vështira i dolën zot vendit”, ka thënë kryetari Lladrovci duke shtuar se shumë shpejt në Drenas do ta pagëzojmë një rrugë me emrin e Haradin Balajt.
Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj tha se Hadarin Bala ka qenë njëri ndër veprimtarët më të çmuar të UÇK-së dhe nga të gjitha situatat qe është ballafaquar ka ditur t’i zgjedhë me qetësi. “Haradini është shembulli më i mirë se si duhet përmbyllur kjo jetë, në sa do situata të komplikuara që është ballafaquar shumë shpejt i ka thjeshtësuar në mënyrën më të thjeshtë”, ka thënë Limaj.
Selman Bala, djali i Haradin Balajt, mes emocionesh ka shprehur krenarinë që ka për babain e tij. Ai tha se vepra e të atit ndaj atdheut dhe luftës ka bërë t’i mungojë të gjithë popullit shqiptar. “Vepra jote besnike ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së dhe çështjes kombëtare, nuk po i mungon vetëm familjes, por gjithë popullit shqiptar”, ka thënë Selman Bala.
Nga Shoqatat e Dala nga lufta, Xhavit Dauti tha se veprimtarët si Haradin Bala u benë gurthemeli i Pavarësisë së Kosovës.
Para Akademisë Përkujtimore në varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë ku pushon edhe trupi i Haradin Balajt, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule.