Rrëfimi i plotë për 18 vjeçarin të dënuar me 7 vjet burg

Shenoll Tahiri, 18-vjeçar nga Podujeva është dënuar me 7 vite e gjysmë burg për grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Familja thonë se djali i tyre është i pafajshëm. Reagime të ashpra kanë bërë disa deputetë për dënimin, por KGjK në fund e sqaron rastin.

Kishte punuar me javë në Serbi që ta ndihmonte familjen për ta siguruar jetesën, por me t’u kthyer në Kosovë e zuri sherri.

Vetëm dy ditë pasi i kishte mbushur 18 vjet, Shenoll Tahiri nga Podujeva u arrestua nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për një grabitje të armatosur që kishte ndodhur më 10 shtator të këtij viti, në filialin e MoneyGram në Podujevë.

Gjatë kësaj grabitjeje ishin plaçkitur 400 euro nën kërcënimin e armës, e cila ka qenë pa leje.

Për këto vepra, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtor Tahirin, dhe dënuar me burg me kohëzgjatje prej shtatë vjet e gjashtë muaj, si dhe me gjobë 600 euro.

“…ashtu që  të akuzuarit Shenoll Tahiri i cakton dënimin me burg në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet e gjashtë (6) muaj si  të cilin do ta mbaj pas plotëfuqishmëris së aktgjykimit,si dhe dënimin me gjobë në lartësi prej  gjashtëqind euro (600,00 ) të cilin do ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në aktgjykim.

Shtëpia e Shenoll Tahirit

Në aktgjykim thuhet se Tahiri nuk e ka pranuar asnjëherë fajësinë për asnjërën prej veprave për të cilat akuzohet gjatë procesit gjyqësor, përveç në Polici.

Aktgjykimi i shkallës së parë thotë se Shenolli gjatë intervistimit në Polici, e kishte pranuar fajin me arsyetimin se gjithë këtë e kishte bërë duke qenë i dehur.

“…përkundër faktit se të gjitha provat e administruara qartazi provonin përtej çdo dyshimi të bazuar se tani i akuzuari është kryes i kësaj vepre penale, i njëjti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk e ka pranuar fajësinë për asnjë prej veprave penale për të cilën është akuzuar.”, thuhet tutje në aktgjykim.

Gjykata si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin e ka konsideruar moshën e tij të re, që të shqiptoj dënimin me burg në kufirin e minimumit të dënimit të paraparë me ligj, përkatësisht dënim me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

“Me rastin e vendosjes lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit kjo gjykatë si rrethanë  lehtësuese për të akuzuarin e konsideron moshën e tij të re-sapo ka mbush 18 vjeç, megjithatë kjo rrethanë lehtësuese mund të jetë me ndikim në  lidhje me këtë çështje penale vetëm për sa i përket mundësisë që gjykata të shqiptoi dënimin me burg në kufirin e minimumit të dënimit të paraparë me ligj, por jo edhe nën minimumin e këtij dënimi.”.

Por, familja e Shenollit po e mohon kategorikisht që djali i tyre ka qenë i përfshirë në këtë grabitje dhe po kërkojnë lirimin e tij.

Gazeta Express ka qëndruar dje gjatë ditës në familjen Tahiri, të cilët kanë mohuar kategorikisht që djali i tyre mund të jetë i përfshirë në këtë grabitje. Dënimin e tij, ata po e lidhin edhe me faktin se i përkasin komunitetit ashkalinjë.

Nëna e Shenoll Tahirit, Velime Tahiri

Nëna e Shenollit, Velime Tahiri i ka thënë Gazetës Express se djali i saj nuk ka qenë i përfshirë fare në këtë grabitje. Thotë se ai e ka pranuar fajin, vetëm pasi është detyruar nga Policia.

Shton se i biri është ende fëmijë, dhe më e shumta që do të mund të merrte diçka, janë hekurishtet, pasi që nga shitja e tyre e sigurojnë edhe jetesën.

Velimja tregon se është nënë vetushqyese, dhe se me arrestimin e djalit, i ka humbur rruga në oborr, e nuk po ka nga të ia mbajë.

“Djali jem është fëmijë hala edhe e ka pranu fajin prej dhunës se kur jemi shku ka qenë krejt shenja shenja që e kanë rreh. Unë nuk mundem me thanë që se bën kurrë, hajde lakmon me marrë naj hekër a najsen, ama me hi në zyrë në 12 të ditës nuk hin tybe. Na mbesim gjallë me hekra, na jetojmë veç me një social. Na ka humb udha në oborr. Unë  jam nanë, edhe më dhimbet boll, ama nëse e ka ba, ia paftë hajrin, por nuk e ka ba”, thotë ajo për Express.

Axha i Shenollit, Gani Tahiri

Edhe axha i Shenollit, Gani Tahiri, thotë se nipi iu dënua pa fakte. Derisa insiston se ai nuk e ka kryer atë vepër, pasi që nuk ka qenë person që është marrë me të tilla punë.

Edhe Ganiu thotë se Shenolli është detyruar nga Policia që ta pranojë fajin.

“Djali na ka thanë që Policia e kanë rreh deri sa e kanë shti me pranu fajin. I kanë thanë ja pranoje veprën, ja kemi me ta nxjerr shpirtin, edhe kurrë rahat nuk kemi me të lanë. Edhe e kanë detyru me nënshkru”, ka thënë Tahiri për Express.

Të njëjtin version për rastin e kanë edhe fqinjët e familjes Tahiri. Ata mohojnë që 18 vjeçari ka vjedhur, derisa thonë se e gjithë kjo po u bëhet vetëm pasi që i përkasin komunitetit të ashkalinjëve. Ata me ngulm po kërkojnë lirimin e tij.

Për këtë tashmë kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni, përmes së cilit po kërkojnë lirimin e tij. Deri tash tregojnë se i kanë mbledhur rreth 130 nënshkrime, dhe se do të vazhdojnë të mbledhin edhe nënshkrime të tjera.

Këtë nisme tregojnë se e kanë filluar para dy muajve, dhe se deri tash i kanë mbledhur 128 nënshkrime për lirimin e tij.

Përveç familjarëve për dënimin e Shenoll Tahirit, kanë reaguar edhe disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe ambasador, të cilët kanë kritikuar sistemin vendor të drejtësisë, duke thënë se amniston zyrtarët që keqpërdorin miliona.

Albulena Haxhiu, Frashër Krasniqi e Vlora Çitaku janë vetëm disa prej tyre. Ndaj këtyre të fundit, sot ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), duke i cilësuar deklarimet e tyre si *ndërhyrje direkte në sistemin gjyqësor, por edhe mosbesim në institucionet kushtetuese të vendit*.

Ankesë për dënimin e shqiptuar ka paralajmëruar edhe avokatja e tij, Millka Millosavljeviq.

Avokatja e Tahirit ka thënë se klienti i tij u dënua pa fakte dhe se si rrjedhojë e kësaj do të ankohet në shkallën e dytë.

“I është shqiptuar dënimi prej 7 vite burg, pa fakte të mjaftueshme, ndërkohë në një video-xhirim që prezantohet si provë nuk dëgjohet asnjë zë dhe as në dukje nuk ngjason në klientin tim”, ka thënë për media avokatja.

Ndërkohë, që edhe në Polici rasti ishte raportuar si grabitje e armatosur.

“Nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, dje (12 shtator 2018) është arrestuar një  person,  për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes së armatosur. Rasti ka ndodhur me datën 10.09.2018 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë,  ku në një lokal (pikë e një filiali që merret me transferim parash), nën kërcënimin e armës janë grabitur një shumë e parave të gatshme.”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen grabitje të armatosur dënohet me gjobë dhe me burgim prej shtatë deri në dymbëdhjetë vjet./Gazeta Express

Neni 329 i Kodit Penal të Kosovës për grabitje

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë