Skenderaj: Gjykatësi dyshon se po akuzohet dikush tjetër, prokurori s’e përjashton një gjë të tillë, kërkohet verifikimi

Gjykatësi Mentor Hajraj, ka kërkuar që i akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunake, Azem Kabashi, të merret edhe njëherë në pyetje në polici, pasi ka thënë se dyshon se ai nuk është personi që ka kryer një vepër të tillë penale.
Një gjë të tillë, gjykatësi Hajraj e ka thënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, por në të cilën ka munguar i akuzuari Kabashi, me ç’rast edhe ka dështuar të mbahet gjykimi në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, gjykatësi Hajraj, ka kërkuar nga prokurori i rastit, Jovo Radoviq, që të gjejë ndonjë mënyrë për të vërtetuar gjendjen faktike, pasi që ai dyshon se mund të bëhet fjalë për një të akuzuar tjetër.
Sipas tij, ka dyshime të bazuara se i akuzuari nuk jeton në shtëpinë, në të cilën prokuroria pretendon se është vjedhur energjia elektrike, por se aty jeton vëllai i të akuzuarit.
Edhe prokurori Jovo Radoviq, nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por ka thënë se aktakuza është ngritur në emër të atij që ishte regjistruar njehsori elektrik.
Për të sqaruar gjendjen faktike, gjykatësi Hajraj, ka kërkuar që i akuzuari të merret në polici dhe të jap deklaratë, pastaj siç tha ai, do të mund të dihej e vërteta.
Pasi për këtë prokurori, ka deklaruar se nuk ishte përgjegjësi e Prokurorisë, gjykatësi ka shtuar se organi i akuzës mund ta autorizonte policinë që nga i akuzuari të merrnin një deklaratë lidhur me gjendjen faktike.
Ndërsa, shqyrtimin e ardhshëm, gjykatësi Hajraj ka thënë se do ta caktojë më vonë.
Përndryshe, Azem Kabashi, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, se nga data e pavërtetuar e deri më 8 gusht 2017, në shtëpinë e tij në Polac, Komuna e Skenderajt, ka bërë ndërhyrje të paautorizuar ilegale në rrjetin elektrik, duke bërë kyçjen direkt përmes kabllos dhe duke bërë anashkalimin e njehsorit elektrik dhe ka furnizuar tërë objektin me energji elektrike, pa matje.
Sipas aktit akuzues, të ngritur nga prokuroria më 1 gusht 2018, i akuzuari me këtë rast, i kishte shkaktuar dëm KEDS-it në vlerë prej 23,97 euro.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320 parag.1 të KPRK-ës.