Deputetët nuk pranojnë t’u rriten pagat

Deputetët e Kuvendit të Kosovës llogaritet se kanë paga të mira dhe të ardhura solide shtesë.

Krahasuar me pjesën tjetër të popullatës, deputetët mund të llogarisin në pagesën për secilin angazhim, qoftë nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare, në mbledhjet e komisioneve dhe kompensimet për udhëtimet jashtë apo brenda vendit.

Të 120 deputetët e Kuvendit të  Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.

Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.

Pavarësisht, këtyre kompensimeve, në bazë të projektligjit të ri për pagat, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, në nenin 19, ku flitet për kompensimin e pagave, është shtuar një pikë ku propozohet “të rriten kompensimet për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare për deputetët, deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë”.

Në bazë të këtij projektligji, deputetët, për seanca plenare do të marrin nga rreth 300 euro.

Shoqëria civile dhe disa deputetë të partive në pozitë dhe opozitë, e kanë kundërshtuar këtë projektligj, pasi e konsiderojnë të padrejtë rritjen e kompensimeve për këtë kategori.

Instituti Demokratik i Kosovës bën monitorimin e rregullt të punës së legjislativit. Përfaqësues të këtij Instituti thonë se duhet të pritet versioni përfundimtar, i cilin do të arrijë në Kuvend, në mënyrë që të analizohet dhe të jepet një pasqyrë më e qartë, nëse bëhet fjalë për rritje të pagës bazë apo mëditjeve apo edhe zvogëlim të pagës së deputetëve.

Pavarësisht kësaj, Albert Krasniqi, nga ky Institut, e konsideron të paarsyeshme çfarëdo rritje të të hyrave materiale të deputetëve.

“Paga mesatare vjetore e deputetëve është rreth 23 mijë euro, që është një pagë dukshëm më e lartë sesa paga mesatare në Kosovë, e cila është 360 euro, kurse për deputetë është 2000 euro”.

“Pra, po flasim për një pesëfish të rrogës së deputetëve në relacion me pagën mesatare. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është shumë i ngadalshëm dhe çfarëdo rritje e pagave të deputetëve, do të duhej të lidhej me pagën mesatare”, vlerëson Krasniqi.

Rritja e buxhetit për pagat e deputetëve, megjithatë nuk i ka gëzuar të gjithë ligjvënësit. Disa e shohin të paarsyeshme që të ketë rritje, ngase e vlerësojnë se kanë pagë mjaft të mirë.

Disa nga deputetët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk e kanë parë ende projektligjin, por theksojnë se propozimi për rritjen e shtesave është në kundërshtim me gjendjen sociale ekonomike në vend.

Safete Hadërgjonaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se pavarësisht që nuk e ka lexuar ende projektligjin, nuk e beson që është propozuar rritja e mëditjeve.

“Unë nuk e kam marrë ligjin ende. Nuk di çka të them. Qysh po e dëgjoj përmes medieve, unë mendoj se me këtë 20 përqindëshin nuk iu rriten mëditjet, por zvogëlohen”, thotë Hadërgjonaj.

Kurse, Shpejtim Bulliqi, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nëse ky projektligj parasheh rritje të mëditjeve, ai nuk do ta votojë atë.

“Mendoj se pagat, të cilat aktualisht marrin deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një nivel relativisht të lartë, në raport me pagën mesatare në Kosovë. Prandaj, besoj se nuk ka ndonjë arsye të ketë rrije”, konsideron Bulliqi.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se do të insistojë që të hiqen të gjitha përfitimet shtesë të deputetëve, pasi, siç shprehet ajo, mjafton paga bazë.

“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, vazhdimisht kemi pasur qëndrimin se deputetët duhet të kenë vetëm pagën e tyre, e jo shtesa për seanca plenare dhe komisione parlamentare. Për faktin se është e pashpjegueshme pse deputetët, përveç pagës prej 1.488 euro, të marrin edhe shtesa për komisione dhe seanca”, thekson Haxhiu.

Miratimin e këtij projektligji dhe rritjen e shtesave për deputetët e kundërshtojnë edhe disa pensionistë, të cilët marrin nga 75 euro në muaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë