Drenas: Dënohet njëri nga dy të akuzuarit për vjedhje, për tjetrin veçohet procedura

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje, Armend Hoxha.
Por, dënimi prej gjashtë muaj burgim nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vitesh.
Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë lidhur me veprën për të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Musa Mehaj, i cili ka deklaruar se pranimi i fajësisë është i mbështetur në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, duke propozuar që kjo të merret si rrethanë lehtësuese.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arif Hasi, ka kërkuar që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë duke marrë parasysh pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit si në të gjitha pikat e aktakuzës, kërkim faljen, është mbajtës i familjes dhe i njëjti është i papunë në Belgjikë.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Shefqet Baleci, ka thënë se ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, kërkim falja, si dhe fakti që i akuzuari është mbajtës i familjes.
Ndryshe, në seancë ka munguar i akuzuari tjetër Mërgim Hoxha, për të cilin gjykata ka informata se i njëjti është në vuajtje të dënimi në Burgun e Dubravës.
Kurse, ndaj Armend Hoxha ishte leshur urdhërarrest, të cilin e ka zbatuar Stacioni Policor i Drenasit të cilin e kanë sjellë në gjykatë.
Pasi që Armend Hoxha, ka deklaruar se tani me vendqëndrim është në Belgjikë dhe në Kosovë është deri më 21 janar 2018, ndaj Mërgim Hoxhës është veçuar procedura penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Armend Hoxha dhe Mërgim Hoxha, të cilët i ngarkon se më 16 dhjetor 2014, rreth orës 01:01, në fshatin Korroticë e Epërme, Komuna e Drenasit, më saktë në gurëthyesin “Trasing” të pandehurit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër në bashkëkryerje kanë marrë pasurinë e huaj.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen se kanë vepruar në atë mënyrë që nga gjeneratori i kompanisë së lartcekur, me bidonë të plastikës, kanë marrë rreth 2500 litra naftë, të cilën në fillim e kanë lënë në një mal, e më pas e kanë bartur me një traktor dhe e kanë shitur.
Sipas aktakuzës, fitimin e kanë ndarë përgjysmë, me ç’ rast të dëmtuarës – pronarit të kompanisë “Trasing”, i kanë shkaktuar dëm në vlerë rreth 3.000 euro.
Me këtë ngarkohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje” nga neni 325 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.