Mbi një mijë viktima të dhunës në familje për dhjetë muaj

Që nga janari deri në tetor të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar mbi një mijë raste të dhunës në familje. Ndërkohë që në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe sociologë vlerësojnë se numri i viktimave të dhunës në familje është edhe më i madh, por sipas tyre jo të gjitha rastet paraqiten në Polici. Sipas tyre, shkaktari kryesor për numrin e madh të rasteve të dhunës në familje është gjendja e rëndë ekonomike.
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës për gazetën “Zëri” ka thënë se numri më i madh i viktimave të dhunës në familje i takon gjinisë femërore. “Nga janari janë raportuar 1.128 raste të dhunës në familje, ku nga to numri i viktimave femra është 901”, kanë thënë ata.
Kurse në të njëjtën periudhë kohore në vitin e kaluar, duke u bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, janë evidentuar 1271 raste të dhunës në familje.
Policia ka theksuar se në nivelin qendror dhe në nivel lokal (drejtori rajonale ose stacione policore) ekzistojnë zyrtarë policorë të trajnuar, të cilët merrem vetëm me raste të dhunës në familje dhe hetim të rasteve të tilla. “Arrestimi i personave të dyshuar në raste të tilla të dhunës familjare bëhet çdoherë kur ka baza ligjore dhe njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale, në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga autoritetet vendimmarrëse të drejtësisë, respektivisht gjykatat”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Policisë.