Policia jep detaje për grabitjen e bankës në Prishtinë

Mëngjesin e sotëm është grabitur filiali i bankës Teb në lagjen Dardania në Prishtinë. Grabitësit kanë arritur të marrin një shumë të parave, ndërsa Policia e Kosovës bën të ditur se ende nuk janë identifikuar të dyshuarit.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:00, në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë. Policia e Kosovës me anë të një komunikate ka konfirmuar se në bazë të të dhënave dhe rezultateve të para të grupit hetimor, grabitja është bërë nën kërcënimin e armëve.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve”, thuhet në komunikatë.

Personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë