Drenas: Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari për posedim të armës

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me 400 euro gjobë, të akuzuarin për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Avni Gllareva.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur në seancën fillestare, të mbajtur të enjten, pasi paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën që ngarkohet, raporton ”Betimi për Drejtësi”.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Musa Mehaj, i cili propozoi që të merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjykatësi Shefqet Baleci, tha se ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, kërkim falja, si dhe faktin që është mbajtës i familjes.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 mars 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Avni Gllarava, duke e akuzuar se më 15 gusht 2016, rreth orës 16:14, në Drenas, përballë firmës “Al Trade”, pas një informate se nga një veturë “BMW X6”, në kolonë të dasmës është shtënë me armë i pandehuri është ndalur nga ana e njësisë policore.
Sipas aktakuzës, pas kontrollimit të veturës, nën ulësen e shoferit është gjetur një pistoletë “Zastrava TT, prodhim jugosllav 7.62 mm, në të cilën kishte të vendosur karikatorin pa fishek, të cilën armë i pandehuri e mbante pa autorizim.
Me këtë ngarkohej se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.