Drenas: Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për aksidentin në trafik

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, e ka dënuar me dy muaj burgim me kusht, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Nestret Bujupi.
Por, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi i akuzuari paraprakisht kishte pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Musa Mehaj, ka deklaruar se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është i mbështetur në prova materiale, nga të cilat është e ngritur aktakuza, duke shtuar se ky pranim është bërë në mënyrë vullnetare, pa kurrfarë presioni.
Ai ka propozuar që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Nestret Bujupi, i cili akuzohej se më 4 korrik 2018, rreth orës 15:45, në rrugën Arllat –Malishevë, duke drejtuar automjetin e tipit “Fiat Dukat”, nga pakujdesia në kundërshtim me nenin 41.1 të Ligjit nr. 05/L, për rregullat e komunikacionit e trafikut rrugor.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Bytyqi ka rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që duke marrë veprimin e kthimit pa qenë i sigurt se nuk do t’i rrezikojë pjesëmarrësit në komunikacion, fillon të bëjë kthim në të majtë dhe kur kalon në shiritin e kahes së kundërt, me pjesën e djathë të automjetit të tij e godet në pjesën e përparme automjetin e tipit “BMW 320”.
Sipas aktakuzës, automjetin e drejtonte i dëmtuari Arton Gashi, më çʾrast shkaktohet aksident komunikacioni me dëme materiale si dhe i dëmtuari ka pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin
Me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 parag.6 lidhur me parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.