Ish-kryetari i Drenasit dhe ish-drejtori i Arsimit deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Ish-kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me propozim të mbrojtësit të tij, avokatit Gazmend Halilaj, aktakuza në këtë rast është konsideruar e lexuar, pasi sipas tij, aktin akuzues e kanë pranuar më herët dhe janë të njoftuar për përmbajtjen e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Konsideroj se jam i pafajshëm, për faktin se është përtej kompetencave të mija që i kam pasur më herët”, ka deklaruar ish-kryetari Demaku.

I pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare është deklaruar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Kurse, shqyrtimi i dytë gjyqësor është caktuar të mbahet më 10 dhjetor 2018, nga ora 13:00.

E pranishme në këtë seancë ka qenë edhe prokurorja e rastit, Dulina Hamiti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015 ia ka lëshuar aktemërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej datës 5 Mars 2015 deri më 05 mars 2016, si dhe me datë 20 janar 2016 me numër 01-120-3424 në kohëzgjatje prej datës 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018, ia ka lëshuar Akt Emërimin Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të Demakut, pretendon se Mimoza Berishës i ka sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Mimoza Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit Sadik Tahiraj.

Sipas prokurorisë, Tahiraj duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe ia ka lëshuar vendimin e datës 3 nëntor 2014 Berishës në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur dhe e ka punësuar të njëjtën pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzë, Tahiraj, më 5 mars 2015, ia ka lëshuar vendimin Mimoza Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast edukatores Mimoza Berisha i ka sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, ndërsa të dëmtuarës Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë