Për nëntë muaj, 1128 raste të dhunës në familje

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë raportuar 1128 raste të dhunës në familje. Këto janë të dhënat e autoriteteve të rendit, ku sipas tyre, pjesa më e madhe e viktima janë femra.

Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë, njëherësh koordinator nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje, tha për REL, se në Kosovë sipas të dhënave që ai posedon, brenda 10 vjetëve, nga kjo kategori e krimeve, kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kanë qenë gratë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, në vazhdën e punës së tyre kanë një koordinim të mirë edhe me institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje”.

“Dhuna në familje në Kosovë është e pranishme dhe shqetësuese. Brenda një viti raportohen mbi një mijë raste të dhunës në familje. Kjo ka bërë që ne si shoqëri po shtojmë angazhimet sesi mund ta parandalojmë këtë dukuri kaq të keqe, me të cilën ballafaqohet krejt bota”, tha Qelaj.

Krahasuar ndër dekada, thekson ai, në Kosovë vlerësohet se ka një avancim i cili ndërlidhet me raportimin e dhunës në familje, përkatësisht në rastin konkret dhunës ndaj grave.

“Prej pas luftës, qeveritë e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, ku ajo që vlen të ceket është Kushtetuta e Kosovës, e cila ka inkorporuar në vete aktet kryesore që mbrojnë të drejtat e njeriut”, tha Qelaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë