Telashet me aktakuzën për veteranët, a do t’i mjaftoj prokurorisë edhe një muaj kohë

Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk i mjaftoi një muaj kohë, aq sa ia cakton ligji, për t’i bërë ndryshimet në aktakuzën e veteranëve. Ndryshime këto, të cilat ia kërkoi Gjykata Themelore në Prishtinë. Andaj kjo e fundit ka afat që deri në fund të nëntorit që t’ia përcjellë aktakuzën e kompletuar gjyqtares Afërdita Bytyçit.
Aktakuza për listat me veteranët e rrejshëm, e bërë gati nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, u ngritë gjatë muajit tetor të këtij viti. Lënda e ish-Prokurorit Special i Republikës së Kosovës, e cila konsiderohet si njëra ndër lëndët me voluminoze që nga paslufta në Kosovë gjatë muajit shtator u dorëzua si e tillë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por nuk vonoi shumë dhe kjo e fundit e riktheu lëndën në Prokurorinë Speciale të Kosovës duke ia bashkangjitur së njëjtës disa kërkesa të veçanta.
Siç kishte njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës, “Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.
Por, Prokurorisë Speciale të Kosovës, siç duket nuk po i mjafton afati prej një muaji për t’i bërë ndryshimet e kërkuara nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Do të duhet edhe një muaj kohë që prokurorët kosovarë t’i bëjnë këto ndryshime. Kështu i tha të mërkurën Expressit, prokurori special, Sylë Hoxha.
“Ne ende jemi duke punuar për këtë lëndë. Kemi kërkuar edhe disa kohë në mënyrë që të kompletohet e gjithë lënda”, ka thënë Hoxha, duke deklaruar se do t’i përmbahen të gjitha afateve ligjore rreth kësaj aktakuze.
E në kërkesën e prokurorisë do të jetë edhe një propozim i veçantë. Aty nga ana e prokurorëve do të propozohet një aktakuzë, e cila do t’i dërgohet gjykatës që veteranëve “mashtrues” t’u ndërpriten pagat.
Ndërkohë, aktakuza e veteranëve e cila u bë gati nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje pa e dërguar atë në gjykatë. Blakaj akuzonte pikërisht eprorin e tij, Reshat Millakun, se e ka “tradhtuar” gjatë përgatitjes së kësaj lënde.
Në letrën publike të shkruar nga Elezaj thuhej se ai dhe Millaku ishin dakorduar që për hetimet rreth listave të veteranëve të mos e informojnë kryeprokurorin e Shtetit, Aleksander Lumezi.
Elezaj akuzonte Lumezin se e ka penguar në punën e tij kur ka marrë në pyetje politikanë rreth aferës “Pronto”, por edhe gjatë hetimeve në rastin e veteranëve të rrejshëm.
Tutje, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shtatë muajt e parë të këtij viti për këtë kategori janë ndarë më shumë se 44 milionë euro.
Sipas dokumenteve të kësaj ministrie që i janë dërguar Radios Evropa e Lirë, vërehet se për çdo muaj është rritur numri i përfituesve, rrjedhimisht edhe shuma e ndarë e mjeteve financiare.