Zgjedhjet e PDK-së në Drenas, ky është qëndrimi i Ramiz Lladrovcit

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur Konventën zgjedhore të Degës në Drenas. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Të pranishmëve iu është drejtuar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili hapur e tha se nuk është pjesë kandidaturave për ta marr këtë degë. Por sipas tij, do të punoi fort që dega e PDK-së në Drenas të mbetet e fortë.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të Lladrovcit:

Fjalim me rastin e hapjes së Konventës zgjedhore të Degës së PDK-Së në Drenas:

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
I nderuari kryetar Kadri Veseli,
Të nderuar deputetë, ish ministra,
Ish rektor, profesorë, intelektualë,
Zonja e zotërinj,
Aktivistë e veprimtarë të Partisë Demokratike, anëtar të kryesisë, simpatizantë të devotshëm, garues të zgjedhjeve të brendshme,

Kjo hapje e zgjedhjeve në degën tonë, sot, është fillim i fitores së re, duke shprehur unitetin tonë dhe me qytetarin. Kjo ditë shënon fuqizimin e PDK-së.

Ne mund të jemi edhe më të fortë, edhe më të mirë. Dyer e dritare i kemi hapë.

Këtë do ta rikonfirmojmë me zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, qytetarëve më të përkushtuar, më të aftë e më atdhetar, në radhët tona, me proces të rregullt, demokratik dhe transparent.
Këto zgjedhje janë për Dekadën e Re, dekadën e zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë.

Faleminderit Kryetar për përkrahjen.
Vëllezër e motra,
Përçarja në Drenicë nuk kalon. Sepse, fryma e themeluesve të UÇK-së, ishte e lidhur me frymën liridashëse të unitetit të Drenicës, prandaj u bëmë dje bastion lirie, sot bastion i PDK-së.

Para pak ditësh, njërit opozitar, ia thash në fytyrë:
“Në Drenas sundon ligji”.
Nuk pres asnjë shenjë dashnie nga shkelësit e ligjit.
Jam i lumtur se çdo ditë takoj e diskutoj me qytetarët e bekuar të Drenasit. Jam i lumtur se besojnë në neve.

Kryetar Veseli,
Asnjë punë në komunë nuk do të bëhej pa unitetin e pathyeshëm të asamblistëve të Partisë Demokratike.
Ky unitet, ka prodhuar efekte të mëdha për qytetarët. Secilin asamblist e falënderoj, një për një për vendosmërinë e zbatimit të projekteve dhe reflektimin e unitetit tonë për çdo pjesë të komunës, gjithë përfshirjen dhe transparencën.
Falënderoj për përkrahjen e çdo lagje e fshati të Drenasit si dhe përkrahjen e zyrtarëve të cilët zbatojnë ligjin me përkushtim.

Kryetar, ne kemi nevojë edhe për më shumë investime. E di, ti po e bën të pamundshmen që Drenica të jetë me krejt kushtet që meriton në shekullin 21. Ne na keni përkrahë më shumë se kurrë, edhe ne po punojmë më shumë se kurrë. Këtë po e shohin dhe pranojnë qytetarët. Ne kemi nevojë që sa më shpejt të finalizojmë projektet që hapin perspektivën e të rinjve tanë. Faleminderit.
Ne kemi besim te Ju.

Kryetar Veseli, aktivistë të degës së PDK-së,

E kam deklaruar, e deklaroj edhe sot se nuk kam asnjë ambicie të kandidoj për kryetar të degës. Kam mjaft punë për të bërë në komunë në vitet që do të vijnë.
Por, kam shumë ambicie që ta përkrah fuqishëm PDK-në.
Puna ime do të sjell më shumë përkrahës për partinë tonë se krejt fjalët e bukura. Qytetarët duan vepra, punë dhe disiplinë. Këtë e kemi dëshmuar.

Nga 200 bursa që kemi premtuar në fushatën e kaluar, po i realizojmë 226, sepse aq edhe i kanë plotësuar kriteret, pra, secili që i ka plotësuar kushtet, do të marrë bursë. Falënderoj edhe donatorët për përkrahjen për bursa.

Kam kërkuar dhe do të këmbënguli për transparencë në proces zgjedhor që vota e anëtarit tonë të devotshëm të mos devijojë. Do të sigurojmë transparencë për çdo votë, për çdo kandidaturë, duke qenë të sigurt se më i miri dhe më i votuari, do të fitojë për Dekadën e Re.

Ftoj secilin qytetar të Drenasit të jetë pjesë e procesit zgjedhor, të bëhet pjesë e Dekadës së Re, sepse, ne më mirë se gjithkush në këtë vend, ia dimë dëshirat atdheut tonë, qytetarit tonë.

Ftoj udhëheqësit lokal të PDK-së, të jenë në nivel të detyrës dhe respektojnë vullnetin e secilit qytetar, sepse, jemi në vëzhgim të profiterëve politik dhe të hienave që duan të sjellin përçarje në Drenicë.

Këtë nuk do ta lejojmë. Ditë e natë do të punojmë që Dega e PDK-së në Drenas të jetë e fortë, sepse Drenica do të jetë më e fortë, sepse Kosova bëhet edhe më e fortë.

Na priftë e mbara. Urime dhe suksese!!!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë