10 euro çdo muaj për gjithë fëmijët kosovarë, flet Donika Kadaj-Bujupi!

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, nuk ishte futur në rend të ditës Rezoluta për shtesat e fëmijëve, propozuese e së cilës ishte Donika Kadaj-Bujupi, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, po sot është mbajtur vazhdimi i seancës me 20 pika të tjera, derisa kanë mbetur edhe dy pika të tjera për diskutim, deri në përmbyllje të kësaj seance.
Që nga koha kur edhe u inicua si propozim, deputetë të ndryshëm dhe përfaqësues të OJQ-së, konsideruan se shuma e përfolur prej 10-eurove nuk është edhe aq e favorshme. Nga ana e saj, Kadaj-Bujupi ka ftuar të gjithë ata që konsiderojnë se kjo është shumë e pamjaftueshme, të angazhohen për më shumë sa i përket kësaj çështje.
“Kushdo që konsideron se është e pamjaftueshme unë i thërras me u angazhu për ma shumë, kjo çështje nuk i takon një subjekti ose një deputeti, ne kemi fillu me 10 euro sepse buxheti nuk e përballon një shumë të lartë, e për 500 mijë fëmijë të Republikës së Kosovës, nënkuptohen rreth 50 milionë euro të buxhetit, pra rreth 3% të buxhetit të përgjithshëm vendit që është një shumë kogja e madhe. “, ka vlerësuar tutje ajo gjatë intervistës.
Sipas Kadaj, nisma e tillë është paraparë të rritet me kalimin e viteve, porse aktualisht këto janë mundësitë e vetme.
“Është një nismë e cila përgjatë viteve edhe do të rritet, me rëndësi është që ne në seancën e radhës të kemi përkrahjen e të gjithë deputetëve edhe të atyre që janë skeptik me shumën, sepse ne të gjithë pajtohemi se shuma nuk është e lartë, mirëpo për momentin kjo është mundësia e vetme. “, vlerësoi ajo.
Proceduralisht, pritet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës të fusë në rend në seancën e radhës, çështjen e shtesave për fëmijët. /Indeksonline/