Drenas: Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për aksident trafiku

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me 200 euro gjobë, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Qazim Drenica.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën nga gjykatësi Shefqet Baleci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Para se të shpallet aktgjykimi, Drenica pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohej.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Menduhi Kastrati, i cili ka propozuar që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 shtator 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Qazim Drenicës, me pretendimin se ai më 6 korrik 2018, rreth orës 11:20, në fshatin Komoran, Komuna e Drenasit në mes të rrugës “Shpëtim Robaj” dhe “Xheladin Gashi”, i pandehuri duke drejtuar automjetin e tipit “VW Golf”, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.
Sipas aktakuzës, Drenica nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që pa u bindur mirë se nuk do t’i pengojë pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, ka bërë kthimin majtas në udhëkryq, kalon në shiritin e kundërt qarkullues, duke mos i dhënë përparësi kalimi automjetit “Daimler Benz”, me ç’rast goditen dy veturat dhe shkaktohet aksident trafiku.
Sipas aktakuzës, në këtë aksident janë shkaktuar dëme materiale dhe kanë pësuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Armend Isufi dhe Arben Haxha.
Për këtë veprim, ai ngarkohej me veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës Kosovës. /Betimipërdrejtësi