Prokurorja në trajnim, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas

Mungesa e prokurores, Dulina Hamiti, është bërë shkak që të dështojë mbajtja e seancës fillestare ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjykatësja e rastit, Naime Krasniqi – Jashanica, bëri të ditur se prokurorja e ka njoftuar gjykatën përmes parashtresës së 17 tetorit se nuk mund të jetë e pranishme në këtë seancë.
Ajo përmes parashtresës e ka njoftuar gjykatën se në datën e mbajtjes së kësaj seance është në trajnim në Kroaci.
Gjykatësja Krasniqi-Jashanica, tha se e ka njoftuar zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për mungesën e prokurores dhe arsyet e mungesës së saj.
Gjykatësja deklaroi se ka kërkuar që të bëhet caktimi i një prokurori tjetër dhe nga përgjigja që ka marr është konfirmuar se nuk mund të caktohet asnjë prokuror tjetër.
Në mungesë të prokurores, kjo seancë është shtyrë për 29 nëntor, me fillim nga ora 9:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “ Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartëcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Akti akuzues, thotë se me këtë rast është dëmtuar Komuna e Drenasit dhe është dashur të paguaj përmes përmbaruesit privat shumën prej 17.043.50 euro. Ndërsa, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, thuhet se është dashur të paguaj shumën prej 8.454.31 euro.
Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, me ç’rast me 21 shtator 2018, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë rast, Tahiraj akuzohej se në vitin 2014 ka keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos respektuar procedurat e prokurimit publik lidhur me furnizimin me vaj (antifiriz) për ngrohjen qendrore të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit. /Betimipërdrejtësi