Rruga që duhet kaluar FSK-ja për t’u bërë forcë ushtarake

Me miratimin në parim të tri projektligjeve që ndërlidhen me Forcën e Sigurisë së Kosovës, është bërë një hap para në drejtim që ky institucion të marrë mandatin ushtarak. Por deri në përligjjen e plotë të transformimit në forcë mbrojtëse, FSK-ja ka përpara një rrugë jo edhe aq të shkurtër, e që mund të përshkohet me pengesa, shkruan AktivPress.
Në aspektin procedural, projektligjet e miratuara në parim të enjten në Kuvendin e Kosovës, shpërndahen në së paku pesë komisione parlamentare.
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së është i ngarkuar të merret me këto dokumente pasi është komision funksional, ndërsa Komisioni për Legjislacion, ai për Buxhet e Financa, Komisioni për Integrime Evropiane si dhe Komisioni për të Drejtat e Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, si komisione të përhershme e kanë për obligim që ta marrin në shqyrtim secilin projektligj që futet në procedurat parlamentare.
Praktikisht, puna në këto komisione duhet të kryhet brenda dy muajve nga dita kur projektligjet janë miratuar në parim nga deputetët.
Në rastin konkret, afatet mund të përshpejtohen nëse deputetët e marrin si të mirëqenë, (ani pse nuk e kanë për detyrim), kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, që shqyrtimi i dytë i projektligjeve për FSK-në të bëhet me 20 nëntor.
Nëse ecet sipas këtij plani, atëherë pas miratimit të këtyre ligjeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli duhet të presë 10 ditë para se t’i nënshkruaj ato.
Ky afat është lënë me qëllim që deputetëve që nuk pajtohen me përmbajtjen e ligjeve t’u jepet mundësia që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën për interpretim.
Lëndën në Gjykatë mund ta procedojnë së paku 10 deputetë, aq sa i ka Lista Serbe aktualisht në Kuvend, e që janë kategorikisht kundër ndryshimit të mandatit të FSK-së.
Në rast se kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese, atëherë procesi pezullohet për së paku dy muaj, derisa Kushtetuesja ta nxjerr verdiktin e saj.
Nëse Gjykata vlerëson se gjithçka është në rregull, atëherë kryetari i Kuvendit, siç shkruan AktivPress, i nënshkruan ligjet dhe i përcjell në Presidencë për shpallje.
Presidenti mund t’i shpallë menjëherë, ndonëse ka kohë tetë ditë për ta bërë një gjë të tillë.
Nëse ka vërejtje në ndonjë amendament, kreu i shtetit mund t’i kthej ligjet sërish në Kuvend, por nëse nuk e bënë këtë gjë, atëherë pas tetë ditësh, ligjet shpallen në Gazetën Zyrtare edhe pa bekimin e tij.
Ligjet hyjnë në fuqi pas 15 ditësh nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare, dhe atëherë FSK ligjërisht e fiton mandatin e një ushtrie.
I gjithë ky proces është vështirë të përmbyllet brenda këtij viti.
Sidoqoftë, liderët institucional kanë deklaruar se çdo hap do ta bëjnë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, specifikisht me NATO-n.
Me projektligjet që janë në procedurë përcaktohet që FSK-ja të jetë forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor.
Kjo forcë që për Komandant Suprem e ka presidentin e Kosovës, e ka për obligim për ta mbrojtur integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës./AktivPress/