Xhemajlaj-Thaçi: E prisja shkarkimin nga Lladrovci
Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, e cila është motra e Isa Xhemaljajt, kandidatit të NISMA-s për kryetar të Drenasit, që u shkarkua sot nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci me arsyen se ndaj saj është ngritur një aktakuzë, sipas vet Xhemajlaj-Thaçi është një vendim i pritur.
Ndaj saj është ngritur një aktakuzë të ngritur në verën e vitit 2016 për blerjen e një kamioni të zjarrfikësve.
Në një prononcim për Insajderin, Xhemajlaj-Thaçi ka thënë se ka qenë i pritshëm ky vendim i Lladrovcit.
“Vendimi i z.Lladrovci për mua ka qenë i pritur”, ka thënë ajo për Insajderin, pa komentuar se për cilat arsye e ka pritur këtë vendim.
Më herët, vëllai i Xhemajlaj-Thaci, ish-kundërkandidati i Llarovcit në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj kishte thënë se Lladrovci është hakmarrë ndaj tij duke ia shkarkuar motrën nga detyra.
“Është edhe një hakmarrje ndaj saj për shkakun tim edhe pse ajo është kryetare e Forumit të Gruas së PDK-së në Drenas”, ka thënë Xhemajlaj për Insajderin.
E sipas Xhemajlaj-Thaçit, aktakuza ndaj saj është e paqëndrueshme.
“Ai kamion ka pranim teknik me asistim të zyrtarëve të Agjencionit për Emergjenca”, ka thënë Xhemajlaj-Thaçi për Insajderin.
Rasti për të cilin akuzohet drejtoresha e Komunës së Drenasit, bashkë edhe me dy zyrtarë të tjerë dhe një person me biznes privat, është blerja e një kamioni në shumën 110.000 që shërben për fikjen e zjarrit, por që i njëjti, sipas prokurorisë “nuk i plotëson kriteret sipas kontratës dhe se pagesa për këtë kamion ishte bërë para se të bëhet pranimi teknik i mallit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”./Insajderi.com