Specialja e ‘mbyllur’, as avokatët nuk kanë dijeni se kur ngritën aktakuzat
Tri vite janë bërë që kur janë miratuar ndryshimet kushtetuese për t’i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale dhe më shumë se një vit që kur është funksionalizuar, por që ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë. Se kur do të bëhet një gjë e tillë nuk kanë treguar nga Prokuroria Speciale, por as avokatët të cilët janë të akredituar nga kjo gjykatë nuk kanë informacione lidhur më këtë.
Edhe pas një vitit të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ndonjë informacion për kohën se kur eventualisht mund të ngritën akuzat.
Në një përgjigje për Indeksonline të zëdhënëses së Speciales, Avis Benes, thuhet se hetimet janë duke vazhduar. Mirëpo, nuk jep ndonjë njoftim për kohën e ngritjes së akuzave të mundshme.
“Në përputhje me praktikën standarde të prokurorisë, Prokuroria e Specialistëve (SPO) nuk bën asnjë njoftim për kohën ose jep detaje për akuzat e mundshme. Hetimi ynë është në vazhdim dhe kushdo që dëshiron të paraqesë informacionin përkatës inkurajohet ta bëjë këtë dhe mund të kontaktojë një prokuror ose hetues të SPO nëpërmjet një forme të dedikuar të kontaktit. Të gjitha kontaktet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në përgjigjën elektronike të saj.
Indeksonline ka dërguar pyetje tek prokurorët e Speciales, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Se kur ngritën aktakuzat e Speciales nuk kanë dijeni madje as avokatët e akredituar për këtë çështje.
Avokati, Arianit Koci i cili është akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo gjykatë, ka thënë për Indeksonline se hetimi i krimeve të pretenduara të luftës nuk është punë e lehtë.
Ai ka thënë se vetëm në Serbi janë mbi 720 dëshmitarë që duhet të intervistohen.
“Prokuroria nuk e ka ndalur fare punën. Vetëm në Serbi janë mbi 720 dëshmitarë që janë apo duhet të intervistohen. Në të njëjtën kohë, hetimi i krimeve të pretenduara të luftës, nuk është punë e lehtë. Duhet theksuar se procedura penale në këto raste, bazohet në masë të madhe në dëshmi të dëshmitarëve. Në të njëjtën kohë jo gjithmonë, dëshmitarët e thonë të vërtetën”, ka thënë Koci.
Ai ka shtuar se hetimet e krimeve kanë të bëjë me të kaluarën që në disa raste dëshmitarët edhe nuk e kujtojnë, duke theksuar se provat material mund të mos përputhen me dëshmitë e dëshmitarëve.
“Poashtu, koha e kaluar, në disa raste ka ndikuar edhe në zbehjen e memories të disa dëshmitarë. E mu kjo duhet me qenë edhe arsyeja që po zvarritet ngritja e aktakuzave, nuk po përputhen provat materiale më dëshmitë e dëshmitarëve. Jam në rrjedha dhe kontakte te vazhdueshme, por të njëjtat nuk janë për publikun, për momentin”, thotë Koci mes të tjerash.
Edhe ,Avokati Tahir Rrecaj i akredituar nga Specialja për Indeksonline ka thënë se nuk dinë për arsyet se pse kjo gjykatë nuk ka filluar punën e saj derisa janë në pritje të ndonjë informacioni.
Rrecaj thotë se të gjitha parakushtetet teknike e ligjore janë plotësuar, mirëpo, nuk dinë se kur ngritën akuzat.
“Nuk kemi ndonjë njoftim lidhur me fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Nuk i dim as arsyet se pse kjo gjykatë nuk ka filluar me ngritjen e aktakuzave edhe përkundër faktit se janë plotësuar të gjitha parakushtet teknike ligjore, domethënë emërimi i gjyqtarëve, prokurorëve. Ne jemi në pritje të ndonjë informacioni nga ana e gjykatës speciale”, ka thënë Rrecaj.
Rrecaj ka theksuar se kanë pasur takime konsultative, mirëpo nuk kanë informacione konkrete se kur nisin punën.
“Në anën tjetër, deri me tani kemi pasur dy, tre takime konsultative me administratën e Gjykatës Speciale. Nuk kemi marrë ndonjë informacion konkret kur eventualisht mund të fillojë gjykata”, ka shtuar ndër të tjerash ai.
Ndryshe, dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK dhe ZPS) me herët kanë publikuar raportin e parë të punës.
Në këtë raport thuhet se gjatë vitit të kaluar ZPS-ja ka shqyrtuar me vëmendje provat e mbledhura që nga koha kur Task Forca Hetimore Speciale filloi punën në vitin 2011, ku përfshihen rreth 70.000 dokumente, që numërojnë thuajse 700.000 faqe material.
Prokurori i Specializuar thuhet se ka punuar drejt një vendimi për ndjekje penale, por ai ngre aktakuzë vetëm nëse bindet se provat janë të pranueshme para Dhomave të Specializuara./Indeksonline/