AGK reagon për publikimin e të dhënave personale të veteranëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellur me vëmendje debatin e ditëve të fundit për listat e veteranëve të luftës së UÇK-së, që dyshohet se në mënyrë të rrejshme kanë fituar statusin e veteranit.

AGK shpreh shqetësim për publikimin e të dhënave personale të këtyre qytetarëve në media.

“AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste të ndjeshme si kjo, por edhe në të tjera t’u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë. E kuptojmë që jetojmë në një kohë kur bëhet përpjekje e madhe për lajmin dhe senzacionin, por kjo nuk nënkupton se duhet të realizohet duke shkelur parimet elementare profesionale e duke iu shërbyer padashje grupeve të caktuara që tentojnë të përdorin disa media për interesa e agjenda të tyre”, thuhet në reagim.

AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjithë gazetarëve në një mjedis jo të lehtë në Kosovë por, në anën tjetër kërkon edhe respektimin e parimeve bazë të profesionit.

“Besojmë se ky shqetësim i yni do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë kolegët gazetarë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë