Reagon Lladrovci: Të gjitha veprimet e mija janë në përputhje me legjislacionin në fuqi

I pari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar për mes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook në lidhje me kallëzimin e fundit penal te organet kompetente për sa i përketë Planifikimit dhe regjistrimit të kategorisë ekonomike të shpenzimeve Kapitale, shkruan Drenica Online.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Pas njoftimit se ndaj meje është ushtruar Kallëzim penal te organet kompetente, ju njoftoj se asnjë nga pretendimet e këtij kallëzimi nuk qëndrojnë.
Të gjitha veprimet e mija që i kam ndërmarr dhe do t’i ndërmarr në të ardhmen, ishin dhe do të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Këtë do ta them dhe argumentoj edhe para instancave ligjore.
Planifikimi dhe regjistrimi i kategorisë ekonomike të shpenzimeve Kapitale bëhet përmes sistemit PIP. Bazuar në Tabelën 4.2, Financimi i Investimeve Kapitale Komunale 2017-2019, është i buxhetuar Projekti Kapital ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Çikatovë e Vjetër – Dobroshec, për 3 vite fiskale.
Ja planifikimi sipas viteve fiskale: Viti 2017 kishte vlerë prej 40,000.00 euro, viti fiskal 2018 në vlerë 30,000.00 euro dhe viti fiskal 2019 në vlerë prej 60,000.00 euro, pra gjithsejtë për strategjinë fiskale 2017-2019 buxheti i miratuar kap shume prej 130,000.00 euro. Po ashtu ky projekt ka edhe numrin me të cilin është i regjistruar në PIP, 0620-611660-1726788/45689.
Projekti në fjalë i cili është projekt 3 vjeçar, ka filluar nga Çikatova e Vjetër, përkatësisht të vendi i quajtur “Shavarina” për të vazhduar në drejtim të Dobroshecit, ku nuk mund të shkohet në fshatin Dobroshec pa kaluar nëpër zonën Kadastrale në Gllanasellë. Deri më tani janë shpenzuar 40,000.00 euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve do të përdoret për të vazhduar projektin në fjalë deri në Dobroshec.
Të nderuar qytetarë,
Baza ligjore për të cilën pretendon kallëzuesi, gjoja se është bërë shkelje, tregon më së miri nivelin dhe profesionalizmin e kallëzuesit.
Ne do të presim përgjigjen e Prokurorisë në lidhje me këtë Kallëzim Penal, për të cilin jam i bindur se bazuar në rrethanat faktike, i njëjti do të hidhet poshtë dhe rrjedhimisht, do të inicioj Procedurë Penale konform nenit 390 (Lajmërimi apo kallëzimi i rremë), sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për hir të transparencës, po bashkëngjis hartat të cilat tregojnë, se projekti në fjalë duhet të kaloj në zonën kadastrale: Çikatovë e Vjetër – Gllanasellë – Dobroshec.