Ministri Hamza i del kundër Qeverisë, nuk e do pagën me rritje

Ministri i Financave, Bedri Hamza, nga radhët e PDK-së ka dalë kundër vendimit të Ramush Haradinajt për rritje të pagës. Hamza bashkë me këshilltarët e tij ka hequr dorë që të marrë pagën me rritje, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Bedri Hamza është ministri i parë që po del kundër këtij vendimi në Qeverinë Haradinaj. Ai konsideron se një rritje e tillë është e dëmshme për buxhetin e Kosovës. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar këshilltari i tij, Lulzim Rafuna.

“Ministri ka kërkuar nga Departamenti i Thesarit që paga e tij të mos rritet, meqë do t’i qëndrojë besnik parimit të tij që e ka thënë edhe në mbledhjen e Qeverisë”, tha ai për Gazetën Express.

Krahas ministrit edhe këshilltarët e tij kanë hequr dorë nga kjo rritje, shtoi ai.

Në 100-ditëshin e parë të qeverisjes së tij, kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë vendim për rritje të pagave në 23 nivele të ndryshme zyrtare, duke filluar nga ai deri tek zyrtarët për komunikim me publikun në Qeveri.

Për këtë punë, Ramush Haradinaj ishte kritikuar nga zyrtarë të opozitës, nga shoqëria civile dhe qytetarët.

Vendimin në fjalë Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Më pas Haradinaj ka kërkuar që ky vendim të pezullohet përkohësisht deri sa të merret një vendim nga Gjykata. Javën e kaluar Kushtetuesja kishte konstatuar se rritja e pagave për zyrtarët e qeverisë nuk përbën ndonjë shkelje. /Gazeta Express

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë