Teuta Rugova zgjedh Kadri Veselin para LDK-së

Rregullat e LDK-së nuk vlejnë për deputeten e tyre Teuta Rugova. Kur LDK-ja i vendos vija të kuqe PDK-së, këto nuk janë të tilla për Teuta Rugovën që më shumë ia bën opozitën partisë së saj se sa pushtetit. Edhe më tutje zyrtarët e lartë të partisë heshtin kundrejt kësaj mospërfilljeje.
Në rrjetet sociale kanë vluar komentet me t’u dhënë lajmi se Teuta Rugova do të ishte pjesë e një delegacioni të udhëhequr nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, për të lobuar në Evropë për heqjen e vizave. Si do të provonte Teuta të bindte Bashkimin Evropian për liberalizim të vizave kur në Kuvend, përgjatë dy mandateve, ka folur vetëm një herë?
Përveç kësaj, Teuta Rugova ka shkuar pa lejen e partisë së saj.
LDK-ja doli dje me njoftimin se në turin që ka nisur Veseli nuk do t’i bashkohet asnjë deputet i saj. Deklarata u publikua, por Teuta Rugova tashmë ishte nisur për në Austri bashkë me Veselin dhe deputetët e grupeve të tjera parlamentare.
“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla”, shkroi dje në Facebook shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, por Teuta tashmë ishte në krye të detyrës për të bindur evropianët t’ia heqin vizat Kosovës.
Që për Teutën nuk vlejnë qëndrimet e vendimet partiake, kjo është dëshmuar disa herë.
Afërsia e saj dhe e familjes së saj me kundërshtarët e LDK-së, përfshirë këtu Presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli. Afërsinë me kryeministrin Haradinaj e ka justifikuar me koalicionin që ky kishte pasur me Rugovën në vitin 2003.
Vjeshtën e vitit të kaluar Teuta Rugova ishte emri më i përfolur duke u konsideruar se ajo të vepronte kundër qëndrimit të LDK-së për t’ia votuar Qeverinë PAN-it. Duke pasur parasysh pavarësinë që ka Teuta nga partia e saj, vota e saj po mbante në ethe të gjithë, edhe pse LDK deklarohej se ka unitet brenda partisë.
Edhe pse nuk e kishte votuar, Teuta Rugova kishte dhënë kontribut në formimin e Qeverisë. Ajo ishte e vetmja deputete nga LDK-ja që kishte qëndruar në Kuvend për t’ia bërë kuorumin PAN-it.
Teuta, po ashtu, kishte ndihmuar PAN-in në gusht gjatë seancës kur po provohej konstituimi i Kuvendit. Meqë koalicioni PAN akoma nuk i kishte votat për ta zgjedhur Veselin në krye të Kuvendit, ajo kishte votuar propozimin e Enver Hoxhajt për të shkuar në pauzë. /Express/