Haradinaj shpeshton vizitat në Drenicë, brenda dy jave dy herë në Drenas

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj brenda 2 jave ka vizituar dy herë Komunën e Drenasit, transmeton DrenicaOnline.

Në të dy rastet për vizitë ishte kur institucionet shtetërore ishin në ditë pushimi.

Derisa të gjithë pushonin me rastin e 1 majit, kryeministri kishte zgjedhur Drenasin dhe kryetarin e saj Ramiz Lladrovci për ta vizituar.

Ai madje në këtë ditë kishte dhënë premtimin se gjiganti Feronikel do të marr këmbët pavarësisht krizës në të cilën ndodhet.

Ndërsa sot, e shtunë, kryeministrin e pamë sërish në Drenas me ftesë të kryetarit Lladrovci. Ai këtë herë erdhi për ta nderuar gjermanin Rainer Wieland i cili u shpall qytetar nderi i kësaj komune.

“Shpallja qytetar nderi i Komunës së Drenasit, sot nuk e nderon vetëm zotin Rainer Wieland, por na nderon gjithë neve si Kosovë. Kosovarët kanë respekt të madh për popullin gjerman dhe përveç kësaj ne jemi evropian”, tha Haradinaj në ceremoninë e shpalljes “Qytetar Nderi i Komunës”./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë